Për të 34-tën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit, nga e hapur në të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Teksa vendi ka mbetur pa institucione të reja për mbi katër muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve, LDK-ja ka paraqitur një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza. Ky propozim është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se preferojnë formimin e një qeverie me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, pas dështimit tha se bllokada politike mund të zgjidhet vetëm përmes një marrëveshjeje politike.
“Edhe takimi i 34-të, konfirmoj edhe njëherë se çështjet politike dhe zgjedhjet e organeve deri në konstituim dhe në fund finalizim nuk mund të zgjedhën me procedura, por duhet të zgjedhën me marrëveshje politike. Çështjet që kanë frymën e rregulloreve të Kuvendit dhe çështjet që ndërtohen për procedurë nuk i zgjidhin problemet politike asnjëherë, dhe në vazhdimësi do t’i nënshtrohemi rregullit një ditë po dhe një ditë jo për t’u takuar”, tha Lutfi Haziri, LDK. /Alsat.mk
Ka dështuar për të 34-ën herë të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Pas dështimit të seancës së 34-ta, e cila nuk zgjati as tre minuta, për ta konstituar Kuvendin e Kosovës, është caktuar ajo e radhës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari njoftoi se seanca e 35-të në përpjekje për ta konstituuar parlamentin do të zhvillohet të shtunën, më 21 qershor.
“51 deputetë kanë dhënë votën për, 1 ka qenë kundër, abstenim nuk ka. Nuk kemi kuorum, atëherë shihemi më 21.06.25 në ora 10:30”, tha Dehari.
Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.
Albulena Haxhiu në gjashtë tentime ka dështuar të kalojë provimin dhe në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.








