Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës
Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës

Gazetare: Xhesika Sallahi
Edhe njëherë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosja e ndërpreu seancën dhe tha se e njëjta do të vazhdojë brenda 48 orësh, pra në datën 19 prill. Sipas tij, nuk kishte konsensus me përfaqësuesit e partive politike se si të veprohet tutje. Opozita e quan ndërprerjen e seancës një shkelje të rëndë. Sipas tyre, LVV-ja përpiqet të blejë kohë për pazare politike.
“Qytetarët e Kosovës tashmë e kanë shumë të qartë se kush janë bllokuesit e vërtetë të seancës konstituive. Kryesuesi që rastisi të jetë më i vjetri në moshë, nga partia e parë, pa të drejtë, kundër praktikës kushtetuese, kundër rregullores së kuvendit, ndërpreu seancën e sotme”, deklaroi Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së.
“Këta nuk kanë shumicë parlamentare dhe meqenëse nuk kanë po dëshirojnë me ble kohë edhe 48 orë kohë për me i bë pazaret politike, të cilat edhe mbas dy dite do t’i kenë në nivelin e njëjtë”, tha Memli krasniqi, Kryetar i PDK-së.
Mirëpo, sipas Albulena Haxhiut nga LVV partitë politike nuk kanë të drejtë të debatojnë në seancën konstituive.
“Ne ishim në një takim konsultativ dhe është e habitshme që të dëgjosh qëndrimet e partive politike. Së pari LDK tha që kryesuesi i seancës nuk ka të drejtë të ftojë përfaqësuesit e partive politike në takim konsultativ. Me rregulloren e punës së kuvendit debati në seancën konstituive nuk lejohet, pra është i ndaluar dhe theksohet shprehimisht”, u shpreh Albulena Haxhiu, LVV.
Deputetët e zgjedhur u mblodhën sot në një tentim të dytë për konstituimin e Kuvendit, pas njoftimit nga presidentja Osmani se sipas rregullores, takimi duhej të mbahej 48 orë pas ndërprerjes. Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit, e më pas qeverisë së re. Deri më tani, LVV-ja si parti fituese nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit dhe as nëse i ka numrat për ta votuar atë. /Alsat.mk