Dështon tenderi për furnizimin me karburant, rrezikon të rikthehet kaosi me transportin publik

Dështon tenderi për furnizimin me karburant, rrezikon të rikthehet kaosi me transportin publik

Gazetar: Avni Tahiri

Në qytetin e Shkupit përsëri mund të rikthehet kaosi me transportin publik. Kjo pasi tenderi i ri i për furnizim me karburante të naftës sipas informatave, përsëri ka dështuar ndërsa rezervat e naftës të siguruara nga Qeveria për transportin publik janë drejtë fundit. Sipas kryeministrit, Hristijan Mickoski, Qeveria nuk do të qëndroj duarkryq karshi këtij problemi dhe NQP-ja përsëri mund të huazoje naftë nga Qeveria. Por, kryeministri Mickoski nuk përjashton edhe mundësinë e marrjes së kompetencave të NQP-së.

“Në të vërtetë duhet të merret parasysh procesi i decentralizimit sepse nëse dikush nuk mund ta bëjë atë, atëherë të intervenojmë në mënyrë ligjore që së paku të marrim kompetencat dhe të stabilizojmë punën siç e stabilizuam në shumë institucione në shtet dhe ndërkohë vazhdojmë me analizimin e tregut dhe përgatitjen e tenderit me ato 100 apo 120 autobusë elektrikë të cilët planifikojmë të marrim”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Sipas Mickoskit, nëse nuk gjendet zgjidhje me tenderin e ri për furnizim me naftë atëherë do të detyrohet përsëri që Qeveria të siguroje karburante për autobusët e NQP-së.

“Pjesa tjetër është tek Qyteti i Shkupit dhe sigurisht që ne si Qeveri nuk do të rrime dhe të shohim se çfarë do të ndodhë por ja të japim shanse një apo dy ditë dhe të shohim a do të ketë përsëri furnizim dhe të ndryshojnë mendje ndonjë nga operatorët ekonomikë. Nëse jo atëherë ne përsëri do të detyrohemi si Qeveri që të ndihmojmë me huazim të intervenojmë në Ndërmarrjen e Qarkullimit Publik por lind pyetja se deri kur kështu”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Për autobusët e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik, javë më parë, Qeveria siguroi 250 mijë litra naftë pasi furnizuesit të karburanteve të NQP-së i përfundoi marrëveshja dhe shumë autobusë mbeten edhe në rrugë nga mungesa e karburantit. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button