Dialogu me Serbinë, Kurti insiston në katër pikat
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti edhe në takimin e dytë me presidentin serb Vuçiç do të insistojë për katër propozimet e tij, të cilat i paraqiti në takimin e parë. Përkundër që s’ka pajtueshmëri për agjendën e diskutimit më 25 korrik, është raportuar për një takim të rangut më të ulët ditëve të ardhshme, por që i njëjti nuk është konfirmuar, as nga Qeveria e Kosovës, as nga Bashkimi Evropian.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, thotë se presin që katër propozimet e dhëna në takimin e parë Serbia t’i marrë seriozisht dhe të vazhdohet tutje.
Ne kemi katër propozimet që i kemi në takimin e fundit, presim që ato propozime t’i marrë seriozisht Serbia dhe të vazhdojmë tutje. Këto janë katër propozimet tona të cilat ne do të insistojmë që Serbia t’i pranojë”, tha Fitor Pacolli, deputete e VV-së.
Por këtë qasje, nuk po e sheh të favorshme për Kosovën Emir Abrashi nga Demokracia Plus, i cili thotë se katër propozimet e kryeministrit Kurti janë të mira, por jo realiste për të ecur përpara në kudër të dialogut.
Katër propozimet e kryeministrit Kurti janë të mira, por janë jorealiste për të vazhduar përpara. Për shkak se ne nuk do të marrim një zotim nga pala serbe, në mungesë të këtij zotimi, cili do të jetë qëndrimi i Kosovës: A do të vazhdojë me procesin e dialogut apo do të tërhiqemi. Vet fakti i dialogut nënkupton se ne duhet të arrijmë në një pikë kompromisi”, pohoi Emir Abrashi, Demokracia Plus.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano nuk bënë të ditur se mund të ketë një takim paraprak të rangut më të ulët politik ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, por thotë se datat dhe agjendën e dialogut do ta publikojnë kurdo që është e përshtatshme.
Në takimin e parë të nivelit të lartë në kuadër të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi, Kurti propozoi që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA, Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Propozimi i tretë ishte pas njohjes së ndërsjellët midis Kosovës dhe Serbisë, në të dy vendet të ketë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave. Pra, serbët në Kosovë të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Ndërsa si propozim i fundit, Kurti kërkoi dorëheqjen e Veljko Odaloviqin nga delegacioni serb dhe i njëjti të merret në pyetje çështjen e të pagjeturve.
Shkëlzen Aqifi








