Diplomatët e dëbuar rusë gjejnë shtëpi në Beograd

Diplomatët e dëbuar rusë gjejnë shtëpi në Beograd

Gazetare: Evi Shkopi

Shumë diplomat rus që shtetet evropiane i dëbuan pas sulmit ushtarak rus ndaj Ukrainës nën dyshimin për spiunazh, kanë gjetur strehim në Serbi, tregon një hulumtim disa mujor i Radios Evropa e Lirë. Në mars të vitit 2022 në Serbi gjendeshin 54 diplomat rus të akredituar. Një vit më vonë ky numër ka arritur në 62. Së paku tre nga këta diplomatë të dëbuar janë rishfaqur më pas si diplomat të akredituar në Serbi.

Në mesin e 18 të dëbuarve nga Kroacia, ishte edhe ish sekretari i dytë në ambasadën ruse Aleksei Ivanenko. Rreth dy javë përpara se Kroacia të shpallte këtë vendim, autoritetet amerikane zbuluan paditë e tre oficerëve të inteligjencës ruse, që punonin për Qendrën 16, të akuzuar për hakimin e kompanive bërthamore amerikane dhe të tjerave për gati gjashtë vjet. Të dhënat e Ministrisë Serbe të Punëve të Jashtme tregojnë se gjashtë muaj pas dëbimit nga Kroacia, 38 vjeçari mori postin e ri në Beograd, sekretar i parë i Ambasadës Ruse.

Një tjetër shtet që dëboi dhjetëra diplomatë rus ishte Polonia. Varshava i konsideroi ata si “kërcënim për interesat e vendit” dhe i akuzoi se punojnë “për të minuar stabilitetin e Polonisë dhe të aleatëve të saj”.
Polonia nuk identifikoi publikisht asnjërin prej zyrtarëve të shënjestruar. Por, një nga emrat që u zhduk nga faqja e internetit e Ambasadës ruse në Varshavë menjëherë më pas, ishte Mikhail Generalov. Gjashtë muaj më vonë, ai iu bashkua Ambasadës ruse në Beograd si këshilltar.

Një tjetër diplomat shërben si sekretar i dytë në Ambasadën ruse në Beograd të paktën që nga shtatori. Dimitry Barabin nuk ishte në mesin e atyre që u dëbuan nga Holanda, por, përkundrazi, atij iu ndalua të hynte në këtë vend, përpara se të merrte postin e tij në Ambasadën ruse në Hagë.

Në hulumtimin e Radios Evropa e lirë përmendet edhe emri i diplomati Pyotr Dolgoshein që figuron si këshilltar në Ambasadën ruse në Beograd. Deri në verën e vitit 2022, ai mbante postin e sekretarit të dytë në Ambasadën ruse në Helsinki. Nuk është e qartë nëse Dolgoshein është në mesin e diplomatëve rusë të përmendur në deklaratën e Qeverisë finlandeze. Zhvendosja e Dolgosheinit nga Finlanda në Serbi është gjithashtu e dukshme në postimet e tij në rrjetin VKontakte.

Deri tani as nga Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe as nga zyra e presidentit Aleksandar Vuçiq, nuk kanë dalë me koment dhe as nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetarëve të Evropës së Lirë. Ambasada ruse në Beograd, më herët, ishte e përfshirë në një aferë spiunazhi. Në nëntor të vitit 2019, Qeveria serbe njoftoi se ka zbuluar një rrjet rus të spiunimit, të lidhur me ambasadën, çfarë e shtyu Vuçiqin ta thërriste në bisedë informative ambasadorin rus. Vuçiq, megjithatë, e minimizoi incidentin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button