Disa nga ministrat e sapozgjedhur sot u ulën në kolltukët ministror

Gazetare: Albina Ramadani

Kuvendi zgjodhi mbrëmë tetë ministrat e rinj, si pjesë e riorganizimit të Qeverisë së propozuar nga kryeministri Hristijan Mickoski. Secili prej tyre mori 69 vota “pro” dhe asnjë kundër.

Jeton Shasivari nga VLEN u zgjodh ministër i Drejtësisë, Borçe Serafimovski  nga Lëvizja ZNAM u zgjodh ministër i Bujqësisë, Agon Ferati nga VLEN, ministër i Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, Sasho Klekovski nga VMRO-DPMNE, ministër i Shëndetësisë, Sedat Sulejmani nga VLEN, ministër i Kulturës dhe Turizmit, Gjoko Velkovski nga VMRO-DPMNE u zgjodh ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ivan Stoiljkoviq nga Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni u zgjodh Ministër i Vetëqeverisjes Lokale, dhe Erxhan Demir nga VMRO-DPMNE, Ministër pa portofol.

Sot kanë nisur edhe ceremonitë e dorëzim-pranimit të detyrave në disa prej ministrive.

Igor Fillkov ia dorëzoi detyrën pasardhësit të tij, Jeton Shasivarit me ç’rast ministri i sapoemëruar mori zyrtarisht postin.

“Do të punojë me përkushtim, përgjegjësi dhe transparencë, duke u fokusuar në avancimin e sundimit të ligjit, forcimin e pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi, si dhe vazhdimin e proceseve reformuese në përputhje me përcaktimet strategjike të Qeverisë dhe agjendën evropiane të shtetit” ,deklaroi Jeton Shasivari, Ministër i Drejtësisë.

Fokusi te avancimi i sundimit të ligjit, forcimi i pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, rikthimi i besimit të qytetarëve në drejtësi, si dhe reformat

Edhe ministri i deritanishëm i Shëndetësisë, Azir Aliu, ia dorëzoi detyrën pasardhësit të tij, Sasho Klekovskit.

“Përpara meje është një detyrë e përgjegjshme, të vazhdoj punën për një shëndetësi më të qasshme, më efikase dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët. Do të ndërtoj mbi atë që është arritur tashmë, ndërsa njëkohësisht do të përqendrohem te sfidat që kërkojnë zgjidhje urgjente”, tha Sasho Klekovsk, Ministër i Shëndetësisë.

-Do të punoj për shëndetësi më të qasshme, më efikase dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët.
-Do të përqendrohem te sfidat që kërkojnë zgjidhje urgjente.

Ndërkohë, Cvetan Tripunovski ia dorëzoi zyrtarisht detyrën pasardhësit të tij, Borçe Serafimovskit, në Ministrinë e Bujqësisë.

“Para nesh është faza e ardhshme zhvillimore, e cila synon prodhim më të madh dhe më cilësor vendas, plasim të sigurt të produkteve, ferma moderne bujqësore dhe menaxhim të përgjegjshëm të pyjeve dhe burimeve ujore”, theksoi Borçe Serafimovski, Ministër i Bujqësisë.

-Para nesh kemi fazën zhvillimore
-Synojmë prodhim më të madh dhe më  cilësor vendas

Në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov ia dorëzoi detyrën ministrit të ri, Sedat Sulejmanit.

“Na pret shumë punë për artin dhe kulturën, konsolidimin e institucioneve kulturore dhe përkrahjen e krijimtarisë, artistëve dhe krijuesve të rinj”, theksoi Sedat Sulejmani, Ministri i Kulturës dhe Turizmit.

– Na pret punë për artin dhe kulturën

Ndërsa Fatmir Limani ia dorëzoi detyrën pasardhësit të tij, Gjoko Velkovskit, në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

“Prioriteti im do të jetë avancimi i sistemit të mbrojtjes sociale, mbështetja më e madhe për familjet, zbatimi i masave për zhvillim demografik dhe krijimi i politikave që do të sigurojnë kushte dhe perspektiva më të mira për të rinjtë”, thotë Gjoko Velkovski , Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

-Prioriteti im, avancimi i sistemit të mbrojtjes sociale,
-mbështetje për familjet, kushte dhe perspektiva të mira për të rinjtë

Ministrat e rinj kanë paralajmëruar vazhdimin e politikave të nisura dhe përqendrimin në reformat dhe sfidat kryesore në sektorët që do të drejtojnë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button