Dita Botërore e fëmijëve me sindromën DOWN, kujdesi dhe trajtimi i hershëm zbut sëmundjen

Dita Botërore e fëmijëve me sindromën DOWN, kujdesi dhe trajtimi i hershëm zbut sëmundjen

Gazetare: Melihate Rustemi

Omeri është 11 vjeç, i lindur me sindromën Daun. Ai çdo ditë të fëmijërisë e kalon në shoqëri të aktiviteteve të ndryshme të cilat kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin e tij. Omeri tashmë ka mësuar shkronjat, numrat e ngjyrat dhe thuajse çdo gjë që e rrethon në përditshmëri. Më i lumtur ndjehet kur përmend emrat e shokëve të klasës të cilët e pranojnë pa asnjë paragjykim.

“Çfarë është kjo që po e ngjyros? Ura. Me çfarë ngjyre po e ngjyros? Ngjyrë kafe. Cila është ngjyra e gjelbër? Kjo. E cila e kaltër? Kjo. Mi trego emrat e shokëve në shkollë? Dea, Tuana, Gzime, Ubejd, Jasin. A luan me shokët dhe shoqet? Po, me Ubejdin dhe Jasinin”.

Nëna e Omerit, Fatime Shabani tha për Alsat se trajtimi në moshë të hershme dhe të vazhdueshme jep rezultatet e duhura. Ajo apeloi nënat që në asnjë mënyrë mos të fshehin rastet.

“Omeri është një fëmijë që zgjohet herët. Në ora 8 jemi në shoqatë, e mban një orë.

Tepër e kënaqur jam, shumë mirë e kanë pranuar, shumë mirë sillen me Omerin. Asistentja është shumë e mirë. Është vështirë por unë e bëj me dëshirë që mos të mbetet mbrapa, e jap maksimumin. Çka i kishe apeluar nënat që i fshehin fëmijët që kanë ndonjë problem? I kisha apeluar që t’i nxjerrin, ti dërgojnë në shoqata, në shkollë normale sepse edhe këta janë njëjtë, si fëmijët e tjerë”, deklaroi Fatime Shabani, nënë.

Psikologët thonë se trajtimi i duhur ndaj personave me sindromën Daun u mundëson atyre të bëhen të pavarur dhe të aftësohen për jetën.

“Sindroma Daun nuk është një sëmundje, është një gjendje e cila e shoqëron fëmijën që nga lindja deri në vdekje dhe nuk është një gjë e cila mund të fshihet, është një gjë që shihet. Ajo të cilën dua ta propozoj dhe ti rekomandoj prindërit është që ti ndërmarrin sa më herët që është e mundshme hapat e nevojshëm për trajtimin e tyre, për pranimin të fëmijës së tyre në formën sa më pozitive duke I dhënë gjithë kujdesin dhe dashurinë e nevojshme që e kanë ata fëmijë”, tha Atixhe Sefa, Qendra “Savant”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këtë vit, Dita Botërore e Personave me Sindromën Daun u shënua nën moton “Me ne – jo për ne”. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button