Dita e fundit të protestave të VMRO-DPMNE-së

VMRO-DPMNE për të tretën ditë më radhë e cila do të jetë edhe e fundit protestoi për të shprehur revoltën ndaj mohimit të informacioneve nga negociatat e Qeverisë me Bullgarinë. Në Emisionin Rruga Drejt në Alsat, partia e Mickoskit thotë se një qëndrim i përbashkët nacional mbi këtë çështje do të ishte ne dobi të vendit.

Nëse do të kishim një qëndrim nacional nga Kuvendi, si deputetë të përgjegjshëm para qytetarëve, do të kishte një peshë më të madhe edhe para instancave evropiane. Kështu vetëm mashtrohet opinioni. Jemi të vetëdijshëm se kryeministri betohej se nuk do ta ndryshojë emrin dhe Kushtetutën por bëri të kundërtën e gjithë asaj që premtoi. Për atë mosbesimi është i madh”, tha Zhaklina Peshevska, VMRO-DPMNE.

Për pushtetin, protestat e opozitës dhe bllokimi i punës së Kuvendit janë të paarsyeshme.

Parashtrohet pyetja se cili është qëllimi final i protestave dhe a duan vetëm të numërohen. Nëse qëllimi ishte ky atëherë u pa se sa fuqi kishin dhe sa persona ishin në protesta. Ose duan ta defokusojnë vëmendjen nga ajo që ndodh në Kuvend ku duhet t’i kryejmë punët për të cilët jemi aty. Për mua, bllokimi për të marrë çfarëdo informacioni, siç thonë ata, për zhvillimin e negociatave me Bullgarinë është strategji e gabuar”, theksoi Sllavjanka Petrovska, LSDM.

Peshevska: A jeni ju të informuar nga Buçkovski për çfarë negocioni? Ju si shumicë e përgjegjshme çfarë do t’u thoni qytetarëve?

Petrovska: Unë, si të gjithë 119 deputetët e tjerë jemi të barabartë dhe për dallim nga koha e VMRO-DPMNE-së kur deputetët e pushtetit të atëhershëm ishin në pozitë më të mirë se opozita, tani kjo nuk ndodh. Unë i kam të gjithë informacionet që i keni edhe ju për këtë çështje. Nëse nuk i keni të qarta, kjo është diçka tjetër.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se sa herë dy partitë më të mëdha në vend përplasen dhe krijojnë situata të këtilla, humbës janë veçanërisht shqiptarët por edhe të gjithë qytetarët.

Nga këto politika të këtilla që i kanë zhvilluar vazhdimisht VMRO – BDI dhe LSDM – BDI, sot ende nuk kemi datë për fillimin e negociatave me BE-në që është një moment shumë i keq për Maqedoninë e Veriut duke marrë parasysh të gjithë parametrat se në cilin stad, në cilën fazë dhe në çfarë krize shumëdimensionale ndodhet ky vend. Kjo vjen si pasojë e dështimit të këtij shteti në të gjitha segmentet e ato i kanë ndërtuar herë VMRO, herë LSDM me një partner shqiptar të quajtur BDI”, pohoi Remzi Mehmedi, ASH.

Pavarësisht përplasjeve, të gjitha partitë shprehen të hapura për bashkëpunime parazgjedhore eventuale në zgjedhjet lokale, varësisht pozitës së tyre në komuna të caktuara.

 

LEXO EDHE:

Back to top button