Djathi dhe kaçkavalli nuk do të lirohen së shpejti

Djathi dhe kaçkavalli nuk do të lirohen së shpejti

Gazetar: Ile Petrevski

Sa më shpejt që kompanitë nga sektori i ushqimit të nënshkruajnë kontrata për shfrytëzimin e energjisë elektrike të lirë, aq më shpejt produktet e tyre do të bëhen më të lira. Por nga Oda Ekonomike nuk besojnë se procesi do të zhvillohet shpejt. Biznesmenët presin që një pjesë e kompanive, energji elektrike të subvencionuar nga shteti të marrin në muajin janar, dhe vetëm atëherë do të mund ti ulin çmimet e produkteve të tyre. Krahas kësaj, nga kjo shoqatë biznesi për Alsat thonë se nuk është problemi i vetëm rryma. Përkatësisht, që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, thonë se ka rritje të vazhdueshme të çmimeve të lëndëve të para.

“Çdo aktivitet ka një llogaritje të ndryshme. Aty ku duhet pritur më shpejt një lloj lëvizjeje në rënie të çmimeve është industria e bukës. Në industrinë e qumështit kemi një situatë specifike, ku disa nga produktet si djathi, kaçkavalli, kanë një proces përpunimi prej dy deri në tre muaj. Do të thotë që nëse e marrim energjinë elektrike në dhjetor, efekti nuk do të ndihet nga kjo industri në dhjetor, por dy muaj më vonë”, thonë nga Oda Ekonomike.

Në ditët në vijim Inspektorati Shtetëror i Tregut, do të nxjerrë të dhënat fillestare nëse ka stabilizim të çmimeve të ushqimeve.

“Ne jemi çdo ditë në terren, të hënën duhet të mblidhen të dhënat dhe vetëm atëherë publiku nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Tregut do të kishte të dhëna më specifike, nëse çmimet ulen apo mbeten të njëjta”, deklaroi Aleksandra Koteli -Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Sipas njoftimeve, rreth 200 kompani dhe 600 furra buke nga muaji i ardhshëm do të kenë energji elektrike më të lirë, 80 euro për megavat orë, por me kusht që të ulin çmimet e produkteve të tyre. Për këtë masë shteti do të shpenzojë rreth 3.5 milionë euro./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button