DnV: Jehona e votuesve në Kosovë deri në orën 16:00, mbi 37%

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se deri në orën 16:00 kanë votuar rreth 37 për qind e qytetarëve me të drejtë votë.

Eugen Cakolli nga ky koalicion, ka thënë se në procesin zgjedhor të këtij viti është vërejtur trend i shtuar i daljes në zgjedhje, në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

Sipas tij, Prishtina dhe Ferizaj janë qytetet me daljen më të madhe në votime, e që kanë popullsinë me shumicë shqiptare. Dalja në zgjedhje në këto dy qytete është mbi 40 për qind.

Komuna e Prizrenit është qyteti me pjesëmarrjen më të ulët në votime.
Komunat me shumicë serbe vazhdojnë të kenë pjesëmarrjen më të lartë në votime, mbi 50 për qind.

Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit kanë 1.794.862 qytetarë.

Ata mund të votojnë në 888 qendra të votimit, që kanë 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.

Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut.

Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës. Po ashtu, KQZ-ja ka lejuar të votojnë qytetarët të cilët kanë letërnjoftim me afat të skaduar.

LEXO EDHE:

Back to top button