“Do të çohem e të kap për fyti” – Nuk merren masa ndaj profesoreshës Besiana Mehmedi

“Do të çohem e të kap për fyti” – Nuk merren masa ndaj profesoreshës Besiana Mehmedi

Gazetar: Mefail Ismaili

Komisioni disiplinor i Fakulteti të Arteve në UT nuk ka marrë asnjë masë ndaj profesoreshës  së muzikës Besiana Mehmedi.

Dekani i Fakulteti të Arteve, Nafi Jashari ka deklaruar për Alsat se Komisioni i ka shqyrtuar ankesat e studentëve por edhe ankesat e profesorësh dhe propozon që studentët e vitit të tretë të mos mbajnë ligjërata me profesoreshën Mehmedi.

Dekani Jashari thotë se për këtë propozim do të vendos Këshilli i Fakultetit të Arteve i cili të martën do të mbajë mbledhje urgjente.

“Gjithsesi në të ardhmen procesi është në vazhdim dhe ne për të gjitha anomalit dhe shkeljet statutare si nga ana e profesoreshës, por nëse ka shkelje edhe nga ana e studenteve, për këto do të marrim masa në vazhdimësi, këto janë probleme interne të fakultetit të arteve dhe me këto organet e fakultetit do të merren në vazhdimësi”, tha Nafi Jashari, dekan i Fakultetit të Arteve.

Studentët janë shprehur të pakënaqur me vendimin e Komisionit disiplinor të fakultetit të Arteve. Paralajmërojnë bojkot të ligjëratave dhe protesta.

“Ne nuk biem dakord me këtë vendim, jemi organizuar i gjithë Fakulteti, ku do të dorëzojmë edhe një deklaratë se ne i bojkotojmë ligjëratat prej vitit të parë gjeri tek viti i katërt, i bojkotojmë të gjitha ligjëratat, do të thotë jo vetëm tek profesorja, deri në marrjen e një vendimi, deri në marrjen e masave që profesorja të mos ligjërojë në këtë fakultet, jo vetëm me ne por as me vitin e parë, as me vitin e dytë. Po ashtu paralajmërojmë edhe një protestë që do të mbahet ditën e mërkurën, në ora 14.00  do të fillojmë tek Biblioteka e Qytetit e do të shkojmë deri në rektorat”, u shpreh Ardi Lena, Student.

Studentët e Muzikës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Tetovës, ankohen nga profesoresha Besiana Mehmedi për sjellje jo etike nga ana e saj, fyerje dhe kërcënime të llojit “Do të çohem e të kap për fyti”.

Situata mes profesores Mehmedi dhe studentëve është përshkallëzuar për shkak të statuseve dhe emojive që studentët kanë përdorur në rrjetet sociale.

Incidentin e ka konfirmuar edhe shefi i Katedrës së muzikës Bajramali Idrizi i cili po ashtu për Alsat dhe sa disa herë e kishte njoftuar dekanatin.

Profesorja Besiana Mehmeti i ka hedhur poshtë akuzat e studentëve dhe ka thënë se nuk do të dorëzohet nga qëllimet e këqija të studentëve. Në mbështetje të studentëve dolën edhe disa këngëtarë, ish-studentë por edhe prindër./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button