Do të ngrijë edhe çmimi i vezëve dhe orizit vendor, analizohen çmimet e produkteve të mishit

Do të ngrijë edhe çmimi i vezëve dhe orizit vendor, analizohen çmimet e produkteve të mishit

Gazetar: Adnan Qaili

Nesër do të ngrijnë çmimet e vezëve dhe orizit vendor. Por, autoritetet nuk tregojnë cilat do të jenë çmimet e ngrira, a do të mbeten të njëjtat apo do të ulen. Aktualisht në tregun vendor një kokërr vezë pule shitet 9-12 denarë, varësisht nga prodhimi, paketimi dhe madhësia e tyre. Duke qenë se konsumi i vezëve rritet gjatë muajit të Ramazanit dhe festës së Pashkëve, nga Ministria e Ekonomisë thonë se i paraprijnë me vendim qeveritar stabilitet të çmimit dhe sasisë në treg. Ministri Bekteshi tha se analiza për grurin dhe sheqerin ka treguar stabilizim të çmimeve, por nëse lëvizin do të vendosin edhe për ngrirje të reja.

“Do të jetë një nga çmimet referent të marsit, nuk do të doja ta them publikisht sepse mundet që tregtarë të caktuar dhe prodhuesit të përgatiten, jo që nuk ju besojmë por e themi nesër pasi ta vendosë Qeveria. Sa iu përket vezëve momentalisht po rritet eksporti nga Maqedonia në shtetet e tjera, të cilat kanë shtuar kërkesat te prodhuesit tanë me çmime më të larta se në tregun tonë. Por, nëse ne marrim vendim për të ndaluar eksportin e tyre, kjo do të jetë në kundërshtim me marrëveshjet e CEFTA-s në rajon”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Sipas fermerëve në vend prodhohen nga 700-800 mijë kokrra vezë në çdo ditë. Përveç që plotësohen nevojat e tregut vendor, nga kjo shifër eksportohen 30-40% jashtë shtetit. Duke qenë se kosto mesatare e një veze në tregun vendor është 14 cent, në gjitha vendet e rajonit janë pak më shtrenjtë. Të dhënat zyrtare tregojnë nga dy-tre cent lëvizin në çdo shtet fqinj, deri në 20 cent arrin çmimi në Greqi. Kjo ka joshur prodhuesit vendor që të kanosen me rritje të eksportit të vezëve në prag të festave fetare, që nga Shoqata e Shpeztarisë thonë se kjo rrezikon të zbrazen raftet e marketeve këtu nëse i ulin çmimet.

“Nëse çmimet mbeten të njëjta, vezët do të mbeten në tregun tonë. Gjithsesi, kemi çmime që duhet t’i respektojmë ne si shoqatë kemi rënë në ujdi që çmimet të mbeten të njëjta për festat që çdo qytetarë të mund të blejë vezë në shtëpi, të mos e teprojmë ne. Por, nëse ulen çmimet me ngrirje ne nuk do të mund të mbijetojmë, e gjithë ngarkesa do të bie mbi ne. Nëse i ulin çmimet, shumica vezëve do të eksportohen”, tha Nevena Hristovska, Veterinare nga Shoqata e Shpeztarisë.

Për produktet e mishit dhe të fruta-perimeve do të analizohen parametrat e tregut në vazhdim, thonë autoritetet dhe ndërkohë mund të vendosin për ngrirje të çmimeve. Por, këto produkte janë ndër më të shtrenjtat e shportës së konsumatorit, kosto të cilat rëndojnë xhepat e qytetarëve. Nga resori ekonomik thonë se me rritjen e pagës minimale në muajin mars në 20,175 denarë dhe stabilizimin e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, gjatë këtij muaji do të duhen pak më shumë se 2 paga minimale për të plotësuar shportën e konsumatorit, e cila merret për një familje 4 anëtarëshe për të mbijetuar brenda një muaji. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button