Dorëheqja e drejtorit të “Pellagonia”, la pa paga punonjësit
Dorëheqja e drejtorit të “Pellagonia”, la pa paga punonjësit
Gazetare: Melihate Rustemi
Dorëheqja e drejtorit të konviktit të studentëve “Pellagonia” në Shkup ka shkaktuar krizë në këtë institucion. Të punësuarit nuk i kanë marr ende pagat e tetorit ndërsa probleme ka edhe me furnizimet e konviktit. Ministria e Arsimit thotë se ushtruesi i ri detyrues do të emërohet brenda javës.
“Më shumë se dy javë, konvikti i studentëve “Pellagonia” në Shkup është pa drejtor. Kjo për faktin se drejtori i deritanishëm, Agim Fejzullahu ka dorëzuar kërkesën për dorëheqje. E njëjta kërkesë, nga këshilli drejtues i konviktit është përcjellë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës mirëpo deri në këto momente pa përgjigje se kush do të jetë drejtori i ri. Mungesa e drejtorit Agim Fejzullahu por edhe emërimit të drejtorit të ri ka shkaktuar shqetësim tek punonjësit e konviktit për shkak se të njëjtit akoma nuk kanë marrë pagën e muajit Tetor”, raporton Melihate Rustemi, gazetare.
Përveç mos firmosjes së pagave, mungesa e drejtorit në këtë institucion ka shkaktuar edhe shumë telashe të tjera që kanë të bëjnë me furnizimet dhe detyrimet tjera që lidhen me funksionimin e konviktit “Pellagonia”.
Alsat kontaktoi edhe me përfaqësuesit e Këshillit drejtues të këtij konvikti për të kuptuar detajet rreth gjendjes së krijuar në këtë institucion. Mirëpo, nga Këshilli drejtues nuk morëm sqarime me arsyetimin se Këshilli tashmë ka drejtues të ri dhe nuk kanë informacione të detajuara rreth gjendjes së krijuar.
Ndërkohë, nga Ministria e Arsimit u përgjigjën shkurt se kërkesa për dorëheqje ka mbërritur në këtë institucion dhe brenda javës pritet të emërohet ushtrues detyre -drejtor. Gjithashtu, sipas MASH, me emërimin e ushtruesit të detyrës do të tejkalohen të gjitha sfidat që kanë të bëjnë me funksionimin e konviktit. Agim Fejzullahu ishte drejtor I konviktit “Pellagonia” më shumë se tre vjet. /Alsat.mk