Dorëheqja e Zaevit s’ka arritur në Kuvend, VMRO-DPMNE e quan dorëheqje vetëm në Facebook

Dorëheqja e Zoran Zaevit nga pozita e kryeministrit duhet të dorëzohet në Kuvend.

Konstatimi i saj nga ligjvënësi nënkupton edhe rënien e të gjithë kabinetit të tij. Kuvendi më vonë duhet njoftojë Presidentin për situatën e re dhe mungesën e ekzekutivit dhe kreu i shtetit duhet të caktojë mandatarin e ri.

“Presidenti i shtetit është i detyruar, (në afat prej dhjetë ditësh nga dita e konstituimit të Kuvendit) mandatin për formimin e Qeverisë të ja japë kandidatit të partisë, gjegjësisht partive të cilat do të kenë shumicën në Kuvend. Mandatari në afat prej 20 ditësh nga dita e dhënies së mandatit, Kuvendit i dorëzon program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, me propozim të mandatarit dhe në bazë të programit e zgjedh Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve”, thuhet në nenin 20 të Kushtetutës.

Nga Kabineti i Presidentit Stevo Pendarovski thonë se Presidenti do të veprojë sipas praktikës së deritanishme.

“Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, zyrtarisht nuk është i informuar nga kryetari i Kuvendit se kryeministri ka dhënë dorëheqje. Kur të informohet për dorëzimin e dorëheqjes eventuale, presidenti në korniza të afatit ligjor prej dhjetë ditësh pas përfundimit të konsultimeve do ta japë mandatin për formimin e Qeverisë partisë ose partive që do të kenë shumicën në Kuvend”, njoftojnë nga Kabineti i Pendarovskit.

VMRO-DPMNE-ja për momentin dorëheqjen e Zaevit e quan dorëheqje “facebook”-u.

“Dorëheqja e kryeministrit Zaev nga pozita e kryeministrit dhe e kryetarit të LSDM-së është akoma dorëheqje facebooku. Akoma zyrtarisht nuk është dorëzuar deri të institucioni ku duhet të dorëzohet e që është Kuvendi, dhe në bazë të asaj që e morëm si informacion nuk mundëm të bisedojmë më shumë. Varësisht letrës që do të marrim, do të dihet hapat e ardhshëm që duhet të bëhen në Kuvend”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

Përveç që nuk arriti të përfundojë mandatin e dytë të kryeministrit, Zaev nuk arriti të përfundojë as mandatin e tretë në krye të LSDM-së. Dorëheqja e tij nga kjo pozitë vjen vetëm shtatë muaj nga rizgjedhja në muajin mars. Në zgjedhjet e fundit brendapartiake ai ishte kandidati i vetëm duke marrë mbi 59 mijë vota nga anëtarësia. Sipas statutit të LSDM-së zgjedhje të parakohshme brendapartiake duhet të shpallen në afat prej 15 ditësh nga përfundimi i funksionit.

“Vendim për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme sjell bordi ekzekutiv i partisë, në afat prej e shumta 15 ditësh nga përfundimi i funksionit”.

Zaevi për herë të parë u zgjodh në krye të LSDM-së në vitin 2013. Në vitin 2017 ai u rizgjodh për mandatin e dytë dhe katër vite më vonë në mandatin e tretë si kryetar i socialdemokratëve./ Alsat.mk

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button