Dorëhiqet qeveria holandeze
Qeveria e kryeministrit holandez, Mark Rutte, dha dorëheqjen të premten pasi mijëra familje u akuzuan gabimisht për mashtrim me ndihmat sociale për fëmijët duke u detyruar t’i kthejnë paratë.
Dorëheqja kërcënon një paqëndrueshmëri politike, derisa vendi lufton me pandeminë e koronavirusit. Mijëra prindër u detyruan të paguanin shuma të mëdha parash dhe të përfundonin në shkatërrim financiar.
Rutte ka qenë në pushtet që nga viti 2010. Në njoftimin për dorëheqjen ai tha se kabineti do të qëndronte në detyrë për të mbikëqyrur përgjigjen ndaj pandemisë së COVID-19 deri në zgjedhjet e reja në mes të muajit mars.
“Ne jemi me një mendje: nëse i gjithë sistemi ka dështuar, përgjegjësia është e përbashkët”, tha Rutte pasi prezantoi dorëheqjen e kabinetit.
Kjo nuk është hera e parë që një qeveri holandeze jep dorëheqjen me arsyetimin për përgjegjësi kolektive. Në vitin 2002, kabineti qeveritar dha dorëheqjen pasi një raport kritikoi ministrat dhe ushtrinë për dështimin për të parandaluar masakrën e myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovin.