Dorëhiqet zv.ministri i Arsimit, Lulzim Aliu
Dorëhiqet zv.ministri i Arsimit, Lulzim Aliu
Gazetarë: Zekirja Haxhiu
Ka dhënë dorëheqje zv.ministri i Arsimit, Lulzim Aliu. Dorëheqja është dorëzuar sot në Qeveri dhe për të është njoftuar edhe kryeministri Hristijan Mickoski. Siç ka sqaruar në njoftimin zyrtar, Aliu thotë se dorëheqja është për arsye personale dhe profesionale.
“Dorëheqja ime vjen pas një reflektimi të kujdesshëm personal dhe profesional, duke besuar se në këtë periudhë është më e përshtatshme të vazhdoj kontributin tim në profesionin tim akademik, në punën time hulumtuese-shkencore si dhe përkushtimi ndaj familjes”, u shpreh Lulzim Aliu – Zv.ministër i Arsimit.
Ky ishte mandati i dyti i Lulzim Aliut si zv.ministër i Arsimit pasi paraprakisht këtë funksion e pati kryer edhe në 2022 – 2023, në periudhën kur koalicionin qeveritar e përbënin LSDM-BDI-Alternativa. Aliu mori besimin si zv.ministër edhe gjatë periudhës kur me partinë udhëhiqte Afrim Gashi por edhe pas dorëheqjes së tij kur u zgjodh kryeparlamentar. Aliu karrierën e tij akademike e filloi në vitin 2009 si pedagog/profesor në Fakultetin Pedagogjik në Universitetin “Shën Kirili e Metodi”./Alsat.mk








