Duda me premtime të mëdha për Maqedoninë e Veriut – Pendarovski: Vështirë të arrihet marrëveshja në dhjetor

Përgatiti: Mefail Ismaili

Presidenti Stevo Pendarovski thotë se arritja e marrëveshjes me Bullgarinë në dhjetor është e vështirë, shkruan Alsat.

Kreu i shtetit thotë se është realist i matur, pasi pa u konstituuar të gjitha institucionet në fqinjin lindor, do të jetë e vështirë të gjendet zgjidhje me politikanë të cilët pas zgjedhjeve në Bullgari, ende nuk i kanë marrë postet e tyre.

“Unë jam realist i kujdesshëm, kaq shumë herë u dogjëm duke pritur nga Sofja që të tërhiqet bllokimi i paarsyeshëm, andaj unë me të vërtetë do të prisja që të shoh me kë konkretisht nesër, pasnesër ose pas 21-shit do të kemi mundësi të negociojmë. Jo vetëm në nivel të presidentëve por edhe në nivel të ministrave të punëve të jashtme të cilët deri më tani i udhëhiqnin negociatat”, tha Stevo Pendarovski, president.

Lidhur me akuzat e presidentit bullgar Radev se Maqedonia e Veriut bën de-bullgarizim sistemor, presidenti Pendarvovski tha se regjistrimi në vend e dëshmoi se një gjë e tillë nuk ekziston.

“Do të thotë, nëse regjistruam mbi 1 milion e 800 mijë njerëz dhe nga ana tjetër pohojnë se ka mbi qindra mijëra qytetarë tonët të cilët kanë shtetësi bullgare, ndërsa askush prej tyre nuk u ankua se i është kontestuar e drejta ta shpreh ndjenjën e tij kombëtare, nuk e di për çfarë debullgarizimi flasim për momentin”, tha Pendarovski.

Për presidentin e Polonisë Andzhej Duda bllokada e Bullgarisë është veprim jo konstruktiv. Duda gjatë takimit me Pendarovskin premtoi se nëse Bullgaria do të vazhdoj bllokimin, ai personalisht do të angazhohet që Maqedonisë së Veriut t’i lehtësohet anëtarësimi.

“Dua të deklaroj publikisht se nëse Republika e Bullgarisë reagon në mënyrë jo konstruktive, respektivisht thotë ‘jo’ për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, unë personalisht do të veproj dhe angazhohem për përgatitjen e një dokumenti të ri udhërrëfyes i cili do ti shërbejë Maqedonisë së Veriut lehtë të ballafaqohet me këtë çështje për hyrje në Bashkimin Evropian”, u shpreh Andzhej Duda, president i Polonisë.

Ndërkohë Këshilli i Ambasadorëve në Maqedoninë e Veriut ka reaguar kundër deklaratës së ministrit bullgar Svetllan Stoev, i cili ka deklaruar se Bullgaria nuk do të mbështes fillim të negociatave me Shkupin. Këshilli i Ambasadorëve vlerëson se qëndrimi i Stoevit është i rrezikshëm për sigurinë e rajonit, për përkeqësimin e gjendjes epidemiologjike me Kovid19 dhe për krizën energjetike./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button