Duke nxituar drejt Kavadarit për në kongresin e partisë së tij VMRO-DPMNE, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski u kap nga sistemi “Safe City” për shkelje në trafik

Duke nxituar drejt Kavadarit për në kongresin e partisë së tij VMRO-DPMNE, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski u kap nga sistemi “Safe City” për shkelje në trafik

Gazetar: Avni Tahiri

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka shpërndarë sot në rrjetet sociale se ka tejkaluar shpejtësinë me 1 kilometër në orë me automjetin e tij privat, dhe për këtë ka marrë njoftim nga sistemi “Safe City”. Duke publikuar dokumentin Toshkovski shkruan se sistemi vlen për të gjithë dhe nuk ka të privilegjuar.

“Sot në mëngjes, duke udhëtuar me automjetin tim privat drejt Kavadarit, ku sot mbahet kongresi partiak, mora një mesazh SMS për një shkelje të trafikut të konstatuar nga sistemi “Safe City”, sepse po lëvizja 1 km/h mbi shpejtësinë e lejuar. Ky është ilustrimi më i mirë se si duhet të funksionojë shteti. Sistemi vlen dhe vepron njësoj për të gjithë, dhe nëse regjistron një shkelje, sanksioni ndjek, pa marrë parasysh kush është në makinë. Nuk ka përjashtime, nuk ka selektivitet, nuk ka të privilegjuar“, tha Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Për të sqaruar këtë rast që është në interes të publikut, redaksia e Alsat i kërkoi Ministrisë së Punëve të Brendshëm që të përgjigjët në pyetjet se a mund ministri Toshkovski të publikojë pamje nga shkelja e bërë me automjetin e tij privat? Dhe se duke pasur parasysh protokollin e sigurisë, a udhëtoi i shoqëruar me polici, apo ishte vetëm pa siguri përcjellëse. Megjithatë nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk dhanë përgjigje direkte për videodëshminë, por thanë se ministri ka të drejtë të publikojë çdo informacion që lidhet me të, përfshirë dokumentin e shkeljes, pasi nuk zbulohen të dhëna personale të palëve të treta dhe se gjatë lëvizjes me automjetin e tij privat, ministri ishte në shoqërim të policisë.

“Gjatë lëvizjes me automjetin e tij privat, ministri ishte në shoqërim të policisë sipas protokollit të sigurisë. Megjithatë, prania e sigurimit nuk e përjashton nga respektimi i rregullave të trafikut dhe shkelja e regjistruar tregon se ligjet vlejnë njësoj për të gjithë, edhe për zyrtarët e lartë”, thonë nga MPB.

Nga MPB, shtojnë se sistemi “Safe City” synon të garantojë siguri dhe barazi për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. MPB paralajmëron së shpejti do të ketë një platformë ku qytetarët do të kenë qasje të paraqesin parregullsitë dhe për të plotësuar lëshimet e sistemit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button