DW: A është Kosova nën trysni për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe?

Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe që nga viti 2013 vazhdon të jetë temë debati në Kosovë, Serbi dhe në mesin e pranisë ndërkombëtare e ndërlidhet ngushtë me dialogun Kosovë-Serbi.

Kosova në vitin 2013 nënshkroi marrëveshjen e parimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti që shumë pika të kësaj marrëveshje janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Që nga ajo kohë, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim pos, kërkesës së vazhdueshme të Serbisë që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin dhe kundërshtimi i vazhdueshëm i Prishtinës zyrtare që nuk lejojnë Asociacion në vija etnike.

BE pret propozime nga Kosova

Të ndodhur në këtë situatë dhe në prag të rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian është duke pritur propozime nga Kosova për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, u shpreh javën e shkuar, se “marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin është përfunduar me mirëbesim dhe se i mbetet Kosovës të propozojë një rrugë përpara për zbatimin e saj”.

“Në vitin 2013 Kosova hyri në një marrëveshje përkrijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është anuluar. Në fakt, marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave dhe duke vepruar kështu, Kosova mori një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje. Pra, Kosovës i mbetet të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar marrëveshjen”, tha Peter Stano për KosovaPress.

Qeveria e Kosovës nuk ndryshon qëndrim

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, vazhdon ta kundërshtojë idenë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe sipas tij, “nuk do të lejohet të ketë diçka që vë në diskutim funksionimin e shtetit”. Kështu thotë zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu.

“Ju e dini, Qeveria ka një qëndrim të qartë sa i përket kësaj teme. Kryeministri Kurti ka thënë se liria e asociimit është liri që garantohet me Kushtetutë, për këtë ka edhe Kushtetutë edhe aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të jetë në shërbim të funksionimit të vendit dhe jo në defunksionalizim të vendit. Prandaj kemi thënë që asociacion një etnik të komunave nuk mund të ketë”, ka thënë zëdhënësi, Përparim Kryeziu.

Serbia këmbëngul në themelimin e Asociacionit

Nga pala serbe vazhdojnë të këmbëngulin, se Prishtina duhet ta Themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive. Ky është refreni i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe këtë ai e theksoi edhe njëherë në takimin e fundit të drejtpërdrejtë që kishte në Bruksel me kryeministrin e atëhershëm, Avdullah Hoti në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, ai është i gatshëm “të diskutojë për një zgjedhje kompromisi me Kosovën, por vetëm me kushtin që paraprakisht Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”. “Asociacioni nuk mund të jetë një organizatë joqeveritare. Ne jemi gjithmonë për dialog e bisedë. Ne duam paqe dhe stabilitet, rrjedhën e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve”, thotë Vuçiq cituar nga medium publik serb RTS.

LEXO EDHE:

Back to top button