Dy aksione shpëtimi në Matkë dhe Malin Sharr, shpëtohen katër persona
Gazetar: Avni Tahiri
Një shtetas rumun, pasi e humbi rrugën gjatë një shëtitjeje në zonën e Matkës, u gjet pas disa orësh nga ekipet e shpëtimit. Ndërkaq, tre alpinistë të tjerë janë evakuuar nga një terren i paarritshëm në Malin Sharr, pasi kishin njoftuar se kishin mbetur të bllokuar gjatë rrugës drejt majës Bistrica.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja në Malin Sharr ka ndodhur një ditë më parë në orën 18:46, kur një 38-vjeçar nga fshati Zherovjan ka kërkuar ndihmë për veten dhe dy personat që e shoqëronin, nga fshatrat Sllatinë dhe Gllogjë. Të tre kishin arritur me automjet deri në territorin e fshatit Tearcë, dhe më pas ishin nisur në këmbë drejt majës Bistrica. Për shkak të terrenit të vështirë dhe të paarritshëm, ata mbetën të bllokuar, ndërsa njëri prej tyre ka shfaqur komplikime në frymëmarrje dhe është ankuar për dhimbje në gjoks.
“Pas marrjes së njoftimit, menjëherë u informuan Njësia Policore e Tearcës dhe Njësia Territoriale e Zjarrfikësve. Ndërkohë, dy alpinistët arritën ta zbrisnin personin me probleme shëndetësore deri në vendin e quajtur “stanet”, ku u pritën nga ekipi i shpëtimit.”thanë nga MPB.
Pas evakuimit të suksesshëm, grupi së bashku me shpëtimtarët kanë zbritur në këmbë deri te automjeti i tyre dhe më pas janë transportuar në mënyrë të sigurt deri te rruga rajonale pranë fshatit Leshkë, ku janë pritur nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë nga Tetova. Alpinisti me probleme shëndetësore është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës, ku i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore.
Sa i përket rastit me alpinistin rumun, mbrëmë në orën 21:55 në numrin e emergjencës 112, një person ka kërkuar ndihmë duke thënë se ishte humbur gjatë një shëtitjeje në rajonin e Matkës. I njëjti është lokalizuar sot rreth orës 04:00 të mëngjesit.
“Përmes komunikimit të vazhdueshëm me personin e humbur, operatorët e QMK-së arritën të përcaktojnë vendndodhjen e tij të përafërt, bazuar në koordinatat dhe të dhënat nga thirrja në numrin 112. Më pas, këto të dhëna iu dorëzuan Qendrës Operative pranë MPB-së për lokalizim më të lehtë dhe më të shpejtë. Personit iu dha udhëzim i qartë që të mos lëvizte nga vendi ku ndodhej, pasi për shkak të errësirës, terrenit të paarritshëm dhe çorientimit, kjo ishte alternativa më e sigurt dhe njëkohësisht mundësonte zhvillimin më efikas të kërkimit”thanë nga QMK.
Sipas QMK-së, pas gjetjes së shtetasit rumun, ai ka qenë i çorientuar, por ka qenë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. /Alsat.mk








