Dy alarme për bomba brenda 24 orëve në Kosovë, kush po i dërgon e-mailat kërcënuese?

Dy alarme për bomba brenda 24 orëve në Kosovë, kush po i dërgon e-mailat kërcënuese?

Dy kërcënime për bomba janë bërë brenda 24 orëve të fundit në Kosovë. Kërcënimi i parë është bërë dje në adresë të Rektoratit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kurse një tjetër i ka shkuar sot në e-mail Gjimnazit “Xhevdet Doda”. Kush po i dërgon këto e-mail’e kërcënuese?

Pak para mesditës, Policia e Kosovës është detyruar që të bëj evakimin e nxënësve të Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Ky veprim i policisë ka ardhur pas një kërcënimi për bombë, që kanë marrë drejtuesit e kësaj shkolle, përmes postës elektronike.

 

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

“Sot rreth orës 11:00 është pranuar  informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë. Ndërkohë që në një perimetër të caktuar policia ka evakuar nxënësit dhe personelin e shkollës, specialistë të policisë po trajtojnë dhe verifikojnë  informatën”, ka deklaruar Ahmeti.

Në oborrin e shkollës më pas janë parë ekipe të deminimit, qen dhe zjarrfikësit. Aty s’është gjetur gjë, pas kontrollit të vendngjarjes.

Një kërcënim të tillë e ka pranuar edhe Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dje. Ky kërcënim u është dërguar atyre përmes një e-maili anonim në gjuhën angleze.

Para objektit të Rektoratit u panë forca të shtuara policore dhe autoambulanca.

“Rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, ka deklaruar Borovci.

Ai tha se policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën.

Për rastin u deklarua edhe Rektori i UP’së, Naser Sahiti.

“Kemi pranuar një e-mail anonim që është vendosur një bombë dhe e kemi dërguar informacionin në polici dhe tani policia e kanë rrethuar vendin dhe janë duke e trajtuar rastin”, tha Sahiti.

E pas kontrollit të vendit të ngjarjes, Policia njoftoi se s’ka gjetur gjë.

“Njësitet relevante policore, pas kryerjes së kontrollit të vendit të ngjarjes, nuk kanë hasur në ndonjë mjet shpërthyes. Të gjitha veprimet dhe hetimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Policia ende s’ka arritur të kap dërguesin e këtyre e-maileve kërcënuese. Së paku ende s’ka dalë me ndonjë njoftim për ndonjë të arrestuar.

LEXO EDHE:

Back to top button