Dy të arrestuar për hedhjen e gazit lotsjellës gjatë performancës së Bregoviqit

Policia në Korçë të Shqipërisë bën të ditur se më 22 gusht arrestoi një 21-vjeçar me inicialet R.L, pasi ai dyshohet se hodhi gaz lotsjellës gjatë performancës së muzikantit Goran Bregoviq në Festën e Birrës.

Po ashtu, autoritetet shqiptare kanë arrestuar edhe një person tjetër, me inicialet F.K, i cili, teksa po arrestohej personi që dyshohet se hodhi gaz lotsjellës “ka kundërshtuar forcat e policisë, me qëllim pengimin e tyre në kryerjen e detyrës”.

“Në vendngjarje u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 kapsollë detonatore e paplasur”, thuhet në njoftim, ku shtohet se autoritetet e rendit janë duke vazhduar hetimet për të parë nëse ka pasur edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Më 22 gusht, muzikanti Goran Bregoviq performoi në Festën e Birrës. Pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje ishte kundërshtuar në Kosovë dhe Shqipëri.

Bregoviq e nisi koncertin me këngën në gjuhën shqipe “Kosovska” (e Kosovës) të bendit “Bijelo Dugme” dhe duke e përfunduar me këngën “Kallashnikov”, këngë që cilësohet se “zgjoi nacionalizmin serb” dhe nxiti ushtarët serbë të shkaktojnë masakra në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

Goran Bregoviq është ish-frontman i grupit “Bijelo Dugme”, një nga grupet më të njohura të rokut në ish-Jugosllavi. Ai u lind në Sarajevë më 1950. Babai i tij ishte kroat dhe nëna serbe, kurse gruaja e tij është boshnjake.

Bregoviq vetë nuk është shprehur publikisht mbi luftërat në ish-Jugosllavi.

“Qëndrimi neutral” thonë se ishte arsyeja për të cilin publiku e dënon.

LEXO EDHE:

Back to top button