Dygjuhësia në uniformat e policisë/ BDI-ja me deklarata kontradiktore, kërkon që çdo shkronjë të jetë edhe në shqip
Dygjuhësia në uniformat e policisë/ BDI-ja me deklarata kontradiktore, kërkon që çdo shkronjë të jetë edhe në shqip
Gazetar: Suad Bajrami
BDI edhe sot akuzon koalicionin VLEN lidhur me dygjuhësinë e uniformave të policisë. Sipas tyre, me vendimin e fundit për uniformat njëgjuhëshe të policisë, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE konfirmoi edhe një herë qasjen e saj diskriminuese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve.
“Ligji për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe është i qartë: dygjuhësia është detyrim ligjor, jo vetëm në distinktivë (bexhe), por në çdo germë e në çdo shenjë të uniformave të policisë. BDI ka lënë ligjin, aktet nënligjore dhe infrastrukturën juridike të qartë”, thonë nga BDI.
Megjithatë, qëndrimi i këtillë është kontradiktorë me qëndrimet e mëparshme të partisë. Në vitin 2022, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve lidhur me furnizimin e uniformave policore vetëm në maqedonisht, zëvendëskryeministri i atëhershëm Artan Grubi, sqaroi se bëhet fjalë vetëm për ngjitëset e uniformave.
“Besoj se për uniforma ngjitëse po bisedoni se uniforma si uniformë nuk ka ardhur me… E kam fjalën, teknikisht pjesa e dygjuhësisë është në ato ngjitëset që i kanë në uniforma. Kështu që vlerësoj në javët para nesh do e adresoj këtë çështje në Qeveri”, deklaroi asokohe Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë.
Çështja e uniformave dygjuhësore sërish ka riaktualizuar temën e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së derisa ishte në pushtet, miratoi një dekret për uniforma dygjuhësore, megjithatë përveç disa fotografive nëpër rrjetet sociale, në praktikë uniformat vazhduan të jenë vetëm në maqedonisht. Rasti i fundit i mosrespektimit të dekretit ishte promovimi i 508 policëve në prill të vitit 2024, kur policët ishin veshur në uniforma vetëm në maqedonisht, ndërsa prezent në promovim ishte kryeministri i parë shqiptar, Talat Xhaferi. /Alsat.mk








