Dyshohet për zjarr të qëllimshëm në një deponi në Haraçinë – Tymi edhe në Likovë e Kumanovë

Dyshohet për zjarr të qëllimshëm në një deponi në Haraçinë – Tymi edhe në Likovë e Kumanovë

Gazetar: Avni Tahiri

Rruga që të çon drejt fshatrave të Likovës dhe Kumanovës, në dalje të Haraçinës, sot thuajse ishte e pa dukshme nga tymi i deponisë.

“Zjarri në deponinë e Haraçinës i cili shpërtheu mbrëmë, siç edhe mund të shihet sot është aktiv ndërsa nga zjarrfikësit thonë se për disa orë gjatë mbrëmjes së djeshme janë munduar që me shkumë speciale të shuajnë zjarrin”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.

Sipas Drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Stojançe Angelov, ekzistojnë dyshime se ky zjarr është i qëllimshëm, pasi në vend ngjarje, nga zjarrfikësit janë vërejtur dyert e hapura të deponisë, dhe po ashtu në deponi janë gjetur një sasi e madhe luledielli të paketuara, të cilat janë djegur me flakë të fortë në atë moment.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se po punojnë për zbardhje të plotë të rastit. Nga njësiti i zjarrfikësve të Shkupit thanë se në shuarjen e zjarrit kanë intervenuar me dy automjete të zjarrfikësve dhe me gjashtë zjarrfikës ndërsa zjarri është vënë nen kontroll në orët e para të mëngjesit të sotëm.

“Në orët e para të mengjesit zjarri është vënë nën kontroll të tërësishëm dhe është kërkuar ndihmë shtese e mekanizmit edhe nga komuna e Haracinës për mbulimin me dhe të pjesës së deponisë. Digjeshin mbetje të produkteve ushqimore dhe gjëra tjera që kanë qenë në deponi”, tha Zvonko Tomevsk  – Komandant i brigadës së zjarrfikësve Shkup.

Për shkak të zjarreve të fundit në Shkup, ndotjes së ajrit, por edhe mbeturinave të pa grumbulluara, disa shoqata qytetare kanë paralajmëruar protestë kundër ndotjes së ajrit dhe shkatërrimit të mjedisit. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button