“E Majta”, bllokon propozim-Ligjin për letërnjoftime të propozuar nga Lëvizja BESA

“E Majta” bllokon propozim-Ligjin për letërnjoftime të propozuar nga Lëvizja Besa me të cilin parashikohet vendosja e grafës së përkatësisë etnike në letërnjoftime. Dy deputetët e kësaj partie kanë propozuar 1.230 amendamente. Njëri nga amendamentet është i VMRO-DPMNE-së. Lëvizja Besa si propozues dyshon se prapa mijëra amendamenteve qëndron një skenar për bllokimin e ligjit. Deputeti Fadil Zendeli thotë se ditëve në vijim do ta dekonspirojnë qëllimin e opozitës maqedonase.

Këtu ka një prapaskenë dhe konspiracion i cili është paksa më i gjerë dhe besoj se në periudhën në vijim me siguri se gjërat do të qartësohen, do të kemi më shumë informacion se çfarë nënkupton deponimi i këtyre amendamenteve ndaj realizimit të një iniciative që nuk dëmton asnjë subjekt politik dhe asnjë etni. Është thjeshtë pjesë e një realiteti shoqëror dhe shtetëror që Maqedonia e Veriut e ka si një vend multi-etnik -tha Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

Arsyet e partisë “E Majta” janë se me vendosjen e përkatësisë etnike, vendi shkon në kundërshtim me vlerat Evropiane. Sipas tyre vetëm 20 shtete në botë kanë të vendosur grafën e përkatësisë etnike dhe fetare në dokumentet personale.

Paramendo në konfliktin e vitin 2001 në letërnjoftime të na shkruante maqedonas, shqiptar, turq sa do të përkeqësohej situata. Do të ishte më e lehtë për secilën palë t’i profilizonte qytetarët. Këto metoda janë përdorur në shumë gjenocide dhe spastrime etnike pasi proceset janë lehtësuar pikërisht sepse në dokumentet personale kanë pasur grafën etnike ose fetare – u shpreh Borisllav Kërmov, Deputet i partisë E Majta.

Mbledhja e Komisionit parlamentar të Sistemit Politik vazhdon pas shqyrtimit teknik të amendamenteve. Partitë shqiptare kanë paralajmëruar mbështetje ndaj propozim-Ligjit për letërnjoftime. Të njëjtin e mbështet edhe LSDM-ja. Përkatësia etnike në letërnjoftime ishte kusht i Lëvizjes Besa gjatë ndryshimeve kushtetuese dhe pjesë e marrëveshjes parazgjedhore mes partisë së Bilall Kasamit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Adrian Kerimi

 

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button