Zgjidhja e problemit me transportin publik në kryeqytet, është prioritet për kandidatin e partisë “E majta” për Qytetin e Shkupit.
Amar Mecinoviq, prezantoi një projekt për rregullimin e transportit publik, të cilin e cilëson si zgjidhje të më shumë problemeve me të cilat përballet Shkupi, duke nënvizuar se një transport publik adekuat, përveç shmangies së kaosit në trafik, do të ndikonte në më shumë fusha, përfshirë këtu edhe fushën e ndotjes së ajrit.
“Kemi disa hapa të cilat vlerësojmë se duhet t’i bëjmë, e para duhet të blihen autobusë të rinj, që duhet të jenë të denja për qytetarët tanë, sepse këto autobusë, momentalisht janë të pasigurte dhe të rrezikshëm. Do të rikujtoheni që vitin e kaluar kishim situata ku autobusët morën flakë, përfunduan në rrethoja të rrugëve dhe thjesht e rrezikuan shkupjanin e thjeshtë në përditshmërinë e tij. Pas blerjes së autobusëve të rinj vlerësojmë se duhet që linjat që qarkullojnë këto autobusë të ndryshohen, sepse këto linja në këtë moment janë të vjetra disa dekada, janë joefikase dhe të gjata dhe nuk i shërbejnë qytetit në mënyrën e duhur”, tha Amar Mecinoviq, kandidat i partisë “E majta” për Qytetin e Shkupit./ Alsat.mk








