Edhe një person arrestohet për shkaktim të zjarrit
Edhe një person arrestohet për shkaktim të zjarrit
Gazetar: Mihajllo Donev
Policia ka ndaluar edhe një person që dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme në pyll, shkruan Alsat.
Bëhet fjalë për 29-vjeçar nga fshati Kanatllarc i Prilepit, ndaj të cilit do të dorëzohet edhe kallëzim penal.
“Ai dyshohet se rreth orës 19:00 në vendin e quajtur “Koria” në zonën e fshatit Kanatllarc ka shkaktuar zjarr në të cilin digjej hamull. Zjarri është shuar nga ekuipazhi i njësitit territorial të zjarrfikësve Prilep dhe nuk ka persona të lënduar”, thonë nga MPB.
29-vjeçari dyshohet për “shkaktim të zjarrit në pyll”, i cili, sipas nenit 227 të Kodit Penal, parashikon dënim me burg prej të paktën tetë vjetësh në rast se zjarri merr përmasa të mëdha. Ndërkaq, situata me vatrat e zjarrit në vend mbetet e rëndë dhe sipas njoftimit të Qendrës për Menaxhim me Krizat, sot janë aktive 10 zjarre. Një pyll ende digjet në fshatin Negrovë të Pehçevës, ndërsa zjarret në afërsi të Makedonski Brodit dhe Galiçicës janë gjithashtu aktive prej ditësh tashmë. Në 24 orët e fundit janë regjistruar gjithsej 37 zjarre në ambiente të jashtme, gjashtë janë vënë nën kontroll kurse 21 janë shuar plotësisht.
“Zjarret janë aktive në komunën e Makedonski Brodit, Pehçevës, Novacit, Resnjës, katër zjarre në territorin e komunës së Kërçovës, në komunën e Pllasnicës dhe komunën e Koçanit. Në zjarret që janë aktive digjen pyje pishe, dushku, ahu dhe të përzier, si dhe hamull. Gjashtë zjarre janë nën kontroll – në komunën e Negotinës, Demir Hisar dhe Ohër, Çashkë, Dellçevë, Lipkovë dhe Koçan”, thonë nga Qendra e Menaxhimit të Krizave.
Në kuadër të aksionit “Zjarret 2024”, nga data 17 korrik e këtej, autoritetet policore kanë reaguar në tetë raste në lidhje me zjarrvënësit në vende të hapura.
Ndaj shumicës prej tyre janë ngritur kallëzime penale, ndërsa dy ditë më parë prokuroria ka caktuar masën e paraburgimit prej tetë ditëve për tre personat që shkaktuan zjarrin më 9 gusht në fshatin Patishka Reka të Shkupit./ Alsat.mk