Edhe një premtim për investime në Kodrën e Diellit

Edhe një premtim për investime në Kodrën e Diellit

Gazetar: Ardit Ramadani

Me më shumë se 186 milion euro pritet që të modernizohet dhe zhvillohet qendra turistike Kodra e Diellit nga një investitor italian, TeknoAlpin. Drita e gjelbër për këtë u dha në seancën e djeshme të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ndërsa në vitin 2023 pritet të fillojnë punët e para në këtë qendër turistike.

Drejtori i Elem Turs që menaxhon me Kodrën e Diellit, Adem Avziu potencoi se bëhet fjalë për investim strategjik i cili do të duhet të kalojë në gjashtë faza ndërsa faza e parë pritet të fillojë shumë shpejt.

“Në fazën e parë planifikohen mbi 55 milion euro, dhe si rrjedhojë e këtij investimi do të kemi shtigje të reja të skijimit, ski ashensor dhe teleferik të rinj, do të rinovohet hotel Slavija, do të ndërtohen hotele të reja, mbi 600 vende të reja për parking, do të rregullohen qasje të rrugëve nga Kodra e Diellit deri në shtigjet e skijimit, vlen të theksohet se në fazën e parë është planifikuar edhe në investimin e sistemit për borë artificiale”, u shpreh Adem Avziu, drejtor i Elem Turs.

Kjo nuk është hera e parë që projekte të tilla fillojnë por ngelin pa epilog, e për atë se çfarë i garanton qytetarët se ky projekt do realizohet sipas Avziut garanci është vetë serioziteti i kompanisë që investon.

“Gjithçka që është deponuar në biznes planin e investitorit që është shumë serioz, në master planin, në pikat makro dhe mikro investive është një garanci e mjaftueshme që investitorët janë serioz. Gjithashtu edhe plani financiar, raporti financiar i investitorit është goxha voluminoz, që është një garanci shtesë”, shtoi ai.

Bisedimet për investitorë potencial për Kodrën e Diellit ka disa vite që paralajmërohen nga kompetentët, ish kryeministri Zoran Zaev në Strategjinë Kombëtare 2021-2027 përfshiu edhe dhënien me koncesion 99 vjeçar këtë qendër turistike.

Ndryshe, përveç teleferikut me gjashtëulëse, Kodra e Diellit ka vite që është lënë në mëshirë të fatit, përkundër faktit që çdo sezon dimëror këtë Qendër Turistike e vizitojnë mijëra qytetarë vendas dhe të huaj./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button