Edi Rama ka prezantuar ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale

" "

Gazetare: Ilirida Sulejmani

Qeveria shqiptare ka prezantuar një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, të cilat synojnë të kufizojnë përdorimin e paraburgimit, të forcojnë mbrojtjen e jetës private dhe të garantojnë më shumë të drejta për personat nën hetim. Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se ndërhyrjet synojnë të bëjnë procesin penal më të balancuar dhe në përputhje me standardet e shtetit të së drejtës. Veprat penale që dënohen deri në 5 vjet burg, nuk do të caktohet arrest me burg, gjykata do të duhet të shqyrtojë fillimisht masa më të lehta sigurie, ndërsa për veprat me dënim deri në 3 vjet burg, nuk do të vendosen masa shtrënguese sigurie.

“Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të nisë nga arresti në shtëpi dhe të arrije te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Për veprat me dënim 3 vjet, nuk do të caktohen masa shtrënguese. Nën 5 vjet s’do të ketë arrest me burg”, deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me kontrollin e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike, ku nëse ato sekuestrohen, përmbajtja e tyre nuk do të mund të kontrollohet pa një vendim të posaçëm të gjykatës, kurse të dhënat që nuk lidhen me hetimin do të asgjësohen.

Këshilli i Evropës ka theksuar edhe më herët nevojën për reduktimin e përdorimit të paraburgimit në Shqipëri dhe për forcimin e masave alternative, duke e konsideruar paraburgimin një masë që duhet të përdoret si mjet i fundit./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button