Gazetar: Zekirija Haxhiu
Pasi nuk po munden të gjejnë gjuhë të përbashkët në Kuvend, ministri i drejtësisë Jeton Shasivari e thirri edhe një herë në mbledhje grupin e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Deputetët u mblodhën sa për t’u takuar e asgjë nuk u dakorduan. Bojkotimi i grupit të punës nga ana e LSDM-së për deputetët dhe ministrin përbën problem për vazhdimin e reformave. Shasivari shpreson që në mbledhjen e radhës, të jenë prezent të gjitha partitë politike.
“Përmes shërbimeve të Ministrisë së Drejtësisë, në periudhën e ardhshme do të vendosë kontakt me deputetin dhe kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe në mënyrë që në mbledhjen e radhës edhe ata të jenë të pranishëm në tryezën e grupit të punës”, deklaroi Jeton Shasivari, ministër i drejtësisë.
Përfaqësuesit e partive politike gjithashtu përsëritën qëndrimet e tyre që dolën nga takimet e filluara që nga muaji mars. Në mbledhje kryesisht nuk është diskutuar shumë për kërkesat por për mënyrën si ta rikthejnë LSDM-në në negociata. Por kërkesat tanimë janë të njohura. Opozita dëshiron një njësi zgjedhore, pagesë të barabartë për reklamim politik dhe tërheqje të propozimit për votim elektronik të diasporës.
“Për ne është e pranueshme që të jetë edhe ne përkrahim të ketë një njësi zgjedhore. Zaten është një nga propozimet tona që në fillim të procesit por kishte propozime të ndryshme dhe konform metodologjisë që në fillim që ishte vendosur që nëse nuk ka harmonizim dhe konsensus, të mbetet zgjidhja ekzistuese sipas Kodit Zgjedhor në fuqi”, deklaroi Blerim Bexheti nga Fronti Evropian.
“Qëndrimet tona janë të qarta, dy çështjet kryesore për të cilat jemi angazhuar janë “një njësi zgjedhore” dhe ndarje të barabartë të mjeteve për reklamim të paguar politik. Fer do të ishte edhe shfuqizimi i tyre. Absolutisht ne nuk kemi ardhur këtu për para por kërkojmë trajtim të barabartë”, shprehen nga E Majta.
“Të gjithë pjesëmarrësit bashkë me përfaqësuesit e të pavarurve të dakordohemi se kemi arritur konsensus, përsëri LSDM sipas rregullores do të ketë të drejtë të bëjë filibastering me numër të madh të amendamenteve”, u shpreh Vesna Bendevska nga ZNAM.
“Sa i përket financimit parazgjedhor ne jemi të gatshëm atë që do ta dakordojnë BDI, LSDM dhe E Majta, ta mbështesim si model për përdorimin e mjeteve për reklamim politik. Sa i përket votimit të diasporës konsiderojmë se është obligim kushtetues i shtetit të mundësojë votim të çdo shtetasi pa dallim vendbanimit”, u përgjigj Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Pas përfundimit të bisedimeve brenda grupit të punës në Ministrinë e Drejtësisë, shumica parlamentare dorëzoi në Kuvend propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Por pas kësaj, LSDM dhe e Majta së bashku dorëzuan 13,500 amendamente me qëllim për t’i bllokuar ndryshimet./Alsat.mk.








