Ekspertët: Amnistia nuk zgjidh problemet me të cilat përballen burgjet e vendit
Ekspertët: Amnistia nuk zgjidh problemet me të cilat përballen burgjet e vendit

Gazetare: Ajnur Bafqari
Burgjet në Maqedoninë e Veriut janë nën standardet ndërkombëtare dhe ka probleme në to, por nuk është e sigurt nëse kjo çështje mund të zgjidhet me amnisti. Kështu thonë njohësit e rrethanave juridike, të cilët vlerësojnë se me ligjin për amnisti Kuvendi po luan rolin e gjykatësit.
“Se ka probleme me burgjet ka, dhe a do të rregullohen me amnisti ato, nuk jam tërësisht e sigurt. Ndoshta një pjesë e burgjeve do të lirohen, por ajo që është shumë me rëndësi, është se shteti duhet të mendojë njëherë në mënyrë tjetër, të mundësojë që kryerja e dënimit të jetë në mënyrë dinjitoze dhe të duhur. Sa i përket elementeve të tjera të amnistisë si institut, kjo është diçka që duhet të shihet në cilën pjesë, cilin raport dhe cilin rast e mbulon. Nuk mund të mbulohet gjithçka me amnisti”, deklaroi Margarita Caca Nikollovska, ish gjykatëse në Gjykatën e Strasburgut.
Akademiku Vllado Kambovski vlerëson se me sjelljen e ligjit për amnisti, Kuvendi nëpërmjet korrigjimeve të caktuara depërton në sferën e politikës së dënimit.
“Me sjelljen e ligjit për amnisti Kuvendi depërton në sferën e politikës së dënimit, me korrigjime të caktuara në atë që është sjell si vendim gjyqësor për shqiptim të dënimit burg. Çështja e parë është nëse Kuvendi dhe në çfarë mase do ta shfrytëzojë kompetencën kushtetuese për dhënie të amnistisë…
Përndryshe nëse Kuvendi çdo ditë do të sillte ligje për amnisti, atëherë sigurisht se kjo do të nënkuptonte kufizim të dukshëm të pushtetit gjyqësor”, tha Vllado Kambobski, akademik.
Profesori Svetomir Shkariq thotë se amnistia është e nevojshme sepse burgjet janë të mbipopulluar, por cenon pushtetin gjyqësor pasi në formën sic po zhvillohet ky proces, Kuvendi po merre rolin e gjyqësorit.
“Me çdo amnisti, veçanërisht me këtë, shumë ndërhyhet në pushtetin gjyqësor, faktikisht Kuvendi përmes këtij ligji luan rolin e gjykatës, edhe atë gjykon me procedurë të shkurtër. Ligjin e sjell me procedurë urgjente dhe të shkurtër, do ta shohim, me siguri edhe pa mbështetje më të madhe”, nënvizoi Svetomir Shkariq, profesor.
Shkariq vlerëson se në vend të amnistisë do të ishte e dobishme që për disa vepra në vend të burgut deri në 6 muaj, të dënuarit dhe të akuzuarit të punojnë ndonjë punë të dobishme nën mbikëqyrje, por ai shton se për këtë, duhet të ndryshohen disa ligje./Alsat.mk