Eksperti evropian takoi anëtarët e Këshillit Gjyqësor
Eksperti evropian takoi anëtarët e Këshillit Gjyqësor
Gazetar: Adrian Kerimi
Misioni vlerësues i BE-së filloi verifikimin e punës së Këshillit Gjyqësor. Ish gjykatësi Suprem në Kroaci, Branko Hrvatin vizitën dy ditore në Shkup e filloi në Këshillin Gjyqësor. Në takimin me anëtarët nuk u lejua prezenca e mediave, ndërsa mbi temat e takimit nuk u kumtua asgjë. Sipas Këshillit Gjyqësor kjo është bërë me kërkesë të Ambasadës së BE-së në Shkup. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero ka deklaruar se qëllimi i misionit vlerësues është rikthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet gjyqësore.
“Këshilli duhet të bën përpjekje që të ruaj integritetin dhe pavarësinë e gjykatësve dhe institucioneve si dhe të jetë mbrojtës nga ndikimet e jashtme. Komisioni Evropian dërgon mision vlerësues për Këshillin Gjyqësor me qëllim përforcimin e transparencës, pavarësisë dhe besueshmërinë e këshillit, përfshirë edhe anëtarët e tyre”, deklaroi Ana Pisonero, Zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Ekspertët vlerësojnë se misioni vlerësues është dëshmi se faktori ndërkombëtarë është i dëshpëruar nga rezultate e sundimit të ligjit, pavarësisht ndihmave financiare dhe formale që i kanë ofruar institucioneve ligjzbatuese.
“Neglizhenca, lëndët e pazgjidhura dhe padrejtësitë që i ndodhin qytetarëve kanë një relacion mes institucioneve që zhvaten në dëm të qytetarëve. Ka 10 apo 15 vjet lëndë që nuk zgjidhen qoftë kontest civil, penal, administrativ ose juridik. Kjo e përbën atë zhvatjen sistemore të qytetarët dhe te shteti. Vonesa e lëndëve dhe aktvendimeve bën që qytetarët t’i humbin të drejtat jo vetëm nacionale por edhe ndërkombëtare dhe ky fakt e ka dëshpëruar faktorin ndërkombëtarë. Të gjitha mjetet dhe ndihmat që janë dhënë për sistemin e gjyqësisë kanë dështuar”, tha Bashkim Selmani, Profesor.
Çështja e parë që do të bie në sytë e ekspertëve Evropian është mos veprimi i Këshillit Gjyqësor në rastin e gjykatësit Enver Bexheti dhe veprimet e tij në lëndët e Sasho Mijallkov. Gjithashtu misioni vlerësues do të kërkon llogari edhe për mënyrën e ndryshimit të kryetares së Këshillit. Lëndët e pa proceduara nga gjykatat për Ramiz Merkon, ndikimi i personave tjerë në listën e zezë si ai i Jordan Orce Kamçev në sistemin gjyqësor dhe mbi gjitha keqpërdorimet në AKMIS sistemin, punësimet familjare në institucionet gjyqësore dhe lëndët e humbura nga shteti në raport me individët ku si pasojë buxheti shtetëror është dëmtuar dhjetëra miliona euro. /Alsat.mk