Eksploatimi i lumit në Konjare, parregullsi në procedura e gërmime

Koncesioni që Ministria e Ekonomisë i ka dhënë kompanisë “Europrogress” për eksploatim në lumin Pçinjë në Konjaren e Mesme në Shkup është në kundërshtim me Ligjin për Ujëra. Një nga parregullsitë e konstatuar nga Inspektorati i Mjedisit dhe Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike është se lumi ka depërtuar thellë në parcelën e dhënë në koncesion. Drejtoresha e Inspektoratit Ana Petrovska, tha se parregullsi janë gjetur edhe  në procedurën e vitit 2019 për vazhdimin e lejes për punë. Konkretisht leja është dhënë duke u bazuar në elaborat të vitit 2010, i ripërpunuar me të dhëna nga elaborati i vitit 2009. Në të njëjtin nuk ka as program për mbrojtje të mjedisit. Petrovska tha se do të kërkojnë nga Inspektorati Teknik që të  urdhërojë ndërprerje të punimeve në atë zonë, deri në përgatitjen e elaboratit të ri.

“Që këto të dhëna të jenë plotësisht të vlefshme, duhen bërë edhe njëherë matje të detajuara në terren, por nuk presim që rezultatet në analizat e ardhshme të jenë të ndryshme nga këto preliminare.  Është e qartë se është bërë lëshim në procedurë, duke marrë parasysh se leja për vazhdim të koncesionit në pjesën B është dhënë në vitin 2019 duke u bazuar në elaborate të bërë në vitin 2010”, tha Ana Petrovska- u.d e Inspektoratit të Mjedisit.

Ministri i Ekologjisë, tha se rastet e tilla duhen parë si nxitës për rishikimin e procedurave dhe rregullativës ligjore në bazë të të cilës jepen lejet. Banorët kërkuan përgjigje nga ministri se a ka ndonjë mundësi që të ndërpritet koncesioni.

“Flasim vetëm për të mbrojtur mjedisin dhe vendin ku jetojmë, që të mos vijë puna që ne të duhet të shpërngulemi sepse dikush punon në këtë mënyrë. Nuk është xhelozi, çdonjëri nga ne e nxjerr një copë bukë. “A ka ndonjë mundësi që të ndërpritet bashkëpunimi?” –Të mos themi tani po ose jo, por të presim rezultatet.”

Inspektorati do të vazhdojë të mbledhë të dhëna që do të përdoren si dëshmi për të përforcuar konstatimet për parregullsi. Më pas Ministria e Ekonomisë duhet t’i propozojë Qeverisë ndërprerje të koncesionit. Por, ndërkohë që zyrtarët informonin për parregullsitë, makineritë vazhdonin punën në terren. Kontaktuam me pronarin e kompanisë në fjalë, Qazim Osmanoviq, i cili na kishte thënë se qëndrimin e tij do ta jepte zyrtarisht pas publikimit të rezultateve nga inspektimi, por sot tha se i duhet më shumë kohë për të analizuar deklaratat e dhënë nga përfaqësuesit e institucioneve. Banorët e fshatit Konjare e Mesme në Shkup tashmë disa vite po ankohen për këtë problem. Pak ditë më parë thanë për Televizionin Alsat se gërryerjet në shtratin e lumit, ndikojnë që sa herë bie niveli i ujit në lum, të bjerë edhe niveli i ujit në puset e tyre.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button