Eliminimi i Lacios dhe Viljarealit, sjell favorit të rinj për Kupën më të re të Evropës

Pas disfatës në “Olimpico” me rezultatin 1-2, Lacio bie edhe në transfertë ndaj holandezëve të AZ Alkmaar. “Bardhekaltërit” u mposhtën me të njëjtat shifra 2-1, teksa ishin të parët që kaluan në avantazh falë golit të Felipe Anderson.
Megjithatë, vendasit barazuan shpejt me Karlson, ndërsa në fraksionin e dytë Pavlidis i dhuroi avantazhin dhe kualifikimin të tijve në çerekfinale. Kujtojmë se në këtë sfidë nuk ishte i grumbulluar Elseid Hysaj për shkak të një problemi në kyçin e këmbës.
Në ndeshjet e tjera, Nica nuk e vendosi në dyshim biletën për në çerekfinale teksa mposhti me rezultatin 3-1 Sheriff Tiraspol. Francezët kishin fituar 1-0 edhe ndeshjen e parë.
Nga ana tjetër, Uest Ham ishte i pamëshirshëm në sfidën ndaj AEK Larnacas me anglezët që triumfuan me shifrat 4-0. Ai që hapi llogaritë e ndeshjes ishte italiani Xhianluka Skamaka, ndërsa Bouen shënoi dy gola para se listës së golashënuesve t’i shtohej edhe Mubama. Kujtojmë se Uest Ham kishte fituar edhe ndeshjen e parë me rezultatin 2-0.
Sakaq, surprizë ishte eliminimi i Villareal nga Anderlehti. Spanjollët u mposhtën në shtëpi me shifrat 0-1 ndërsa në Belgjikë sfida kishte përfunduar në barazim 1-1.
Ndërkaq, në fazën tjetër kaloi dhe Fiorentina, ku pas fitores 1-0 para një javë në “Artemio Franki”, në sfidën e dytë arriti të triumfonte me rezultatin e thellë 1-4, në transfertën turke të Sivasporit.