Elon Musk siguron Ukrainën me internet
Miliarderi Ilon Mask i ka mundësuar ushtrisë dhe qytetarëve të Ukrainës që të përdorin internet nga shërbimi satelitor me përfshirje të gjerë të “Starlink”.
Njoftimi i këtillë i Mask vjen si përgjigje ndaj zëvendëskryeministrit ukrainas Mihailo Fjodorov, i cili e kërkoi këtë shërbim nga Mask. Ukraina ka problem serioz në pjesën lindore dhe jugore të vendit ku luftimet janë më të ashpra. Ilon Mask po ashtu njoftoi se për momentin, SpaceX po dërgon më tepër terminale në Ukrainë, interneti i të cilit është goditur nga invazioni rus.
“Shërbimi Starlink tashmë është aktiv në Ukrainë. Vijnë më tepër termninale”, ka shkruar Mask në Twitter. Nga ana tjetër Alphabet, kompania amë e platformës, YouTube, ka thënë se mediat shtetërore ruse nuk do të mund të përfitojnë nga reklamat më në këtë rrjet. Kjo nënkupton që Russia Today dhe kanale të tjera nuk mund të marrin para nga reklamat në YouTube dhe faqe të tjera që janë në pronësi të Alphabet. Kompania ka thënë se këto media as nuk do të mund të blejnë reklama përmes shërbimeve të kompanisë Google.
Një zëdhënës ia ka atribuuar këtë vendim “situatës së jashtëzakonshme” dhe ka thënë se Alphabet do të “marrë masa tjera nëse është e nevojshme”.








