Emigrimi nga vendi i zbraz kompanitë nga punëtorë të aftë

Emigrimi nga vendi i zbraz kompanitë nga punëtorë të aftë

Gazetar: Ile Petreski

Të dhënat e regjistrimit konfirmuan mungesën alarmante të punëtorëve në tregun e punës.

Ajo që biznesmenët kanë paralajmëruar prej vitesh duket se së shpejti do të bëhet realitet.

ProfesorI Gadaf Rexhepi në emisionin “Rruga Drejt” në Alsat përmendi se në vitet e ardhshme vetëm në mënyrë natyrale në vend do të mungojnë më shumë se 30 mijë persona të aftë për punë.

Hendeku do të zgjerohej kur këtu të shtohen edhe qytetarët që vendosin të largohen nga Maqedonia.

Shteti duhet të marrë diçka serioze për të mbajtur të rinjtë në vend, apelojnë sërish nga shoqatat e biznesit. Me kalimin e viteve jo vetëm se ka mungesë të kuadrove të kualifikuar, por në një të ardhme të afërt nuk do të ketë kush të punojë në disa degë ekonomike.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se më kot po përpiqemi të krijojmë një numër më të madh kompanish, të krijojmë aktivitete të reja, duhet të mendojmë në drejtim të mbajtjes së popullsisë brenda vendit”, tha Vladanka Trajkovska – Kryetare e Organizatës së Punëdhënësve.

Shumica e hulumtimeve tregojnë se arsyet e emigrimit nuk janë vetëm financiare.

Partizimi i institucioneve, niveli i lartë i korrupsionit, gjyqësori joefikas, sistemi arsimor, shërbimet sociale dhe shëndetësore që u ofrohen qytetarëve janë motivim i mjaftueshëm për të blerë një biletë avioni një drejtimshe.

Hulumtimet e fundit mbi këtë temë treguan se deri në 58 për qind e të rinjve tashmë janë “me një këmbë jashtë” vendit dhe do të largoheshin nëse u jepej mundësia e parë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button