Emrat e rrugëve në Tetovë, pushteti fajson opozitën

Gazetar:Bashkim Sulejmani

Partnerët e koalicionit VMRO-VLEN fajësuan sërish opozitën e cila, sipas tyre, përmes njerëzve të tyre në Gjykatën Kushtetuese, problematizon çështjen e emërtimit të rrugëve dhe sheshit në Tetovë. Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski tha se kjo çështje do të ketë zgjidhje së shpejti.

Unë kam qenë dy herë në opozitë dhe e di që nuk është lehtë në opozitë, por e di se kur i kundërviheni palës tjetër pa argumente vazhdoni të fundoseni. Dhe kjo i ndodh kësaj opozite. Nëse shikojmë me interesa të ngushta partiake kjo është mirë, por si shtet duhet të kemi opozitë të shëndoshë. E di që kanë ende njerëz të tyre në Qeveri, për shembull në PKKO dhe në Gjykatën Kushtetuese po ashtu edhe në supreme, dhe e di që i keqpërdorin këto njerëz sepse nuk jemi nga dje në politikë, por ne i shohim këto gjëra dhe do dënohen sërish në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.

Kreu i Komunës Bilall Kasami komenton vendimin e mundshëm në këshillin e komunës rreth emrave të rrugëve, të propozuar nga BDI-ja. Ai topin e hedh tek këshilltarët.

Nëse shumica e këshilltarëve vlerësojnë që këtë absurd të BDI-së ta bëjnë realitet dhe votojnë atë listë ashtu të propozuar, rreziku është që me automatizëm këshilli të shkoj në rizgjedhje sepse, në atë listë janë të gjithë emrat e rrugëve të cilat janë rrëzuar njëherë nga Gjykata Kushtetuese shkaku i procedurës dhe sërish propozimi i BDI-së shkel po të njëjtën procedurë shkaku i të cilës ka rënë lista e parë”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Pas rrëzimit të vendimit të vitit 2007 nga ana e Gjykatës Kushtetuese, opozita në këshillin e komunës së Tetovës, ka dalë me kërkesë për rivotimin e emrave vendimi për të cilat u shfuqizua nga kushtetuesja. Në propozim janë shtuar edhe disa emra të rinj. Të shtunën në orën 20:00, pritet të mbahet edhe marshi i dytë protestues, kundër vendimit të Kushtetueses, por në vend që protesta të mbahet para gjykatës Kushtetuese, e njëjta do të mbahet nga Sheshi i Tetovës deri tek komuna./alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button