EMV dhe VMRO-DPMNE kërkojnë nga prokurori Saveski ta rikthejë në jetë hetimin 169 milionë eurosh për mazutin

Gazetar: Suad Bajrami

Prokuroria republikane e udhëhequr nga Nenad Saveski do të veprojë ndaj ankesës së Elektranave të Maqedonisë lidhur me mbylljen e hetimit nga ana e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, lidhur me furnizimin e Mazutit për nevojat e TEC Negotinë ku dyshohej për keqpërdorime në vlerë prej 169 milionë eurosh. Kështu u përgjigjën nga Prokuroria për Alsat. Ndaj ankesës që pretendon se prokurorja e çështjes Katerina Kollareviq ka bërë shkelje në procedurë, do të vendos Prokuroria e Lartë.

“Kemi dorëzuar ankesë deri te Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Prokuroria e Lartë Publike. Gjithashtu, ashtu siç paralajmëruam është dorëzuar kërkesë për kontroll edhe te Prokuroria Publike. Kërkesa është me qëllim të konstatohen mospërputhjet për udhëheqjen e procedurës”, thuhet në njoftimin e Еlektranave të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja i kërkon Prokurorisë që të rikthejë në jetë hetimin, ndërsa drejton gishtin nga shefi Islam Abazi dhe prokurorja Kollareviq.

“Kjo ankesë nga EMV është provë se prokurorja Kollareviq ka vepruar në mënyrë joprofesionale, ndërsa Islam Abazi e ka konfirmuar këtë vendim kontradiktor për skandalin Mazut i cili është i rëndë 169 milionë euro, furnizime të mazutit për TEC Negotinë”. 02:28 “Vlerësojmë se Prokuroria duhet t’i shfrytëzojë mjetet e saja, institucionet e saja që ta korrigjojë vendimin e këtillë kontradiktor dhe fitimprurës të tandemit prokurorial Kollareviq dhe Abazi”, deklaroi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Për rastin ka reaguar edhe partia E Majta, e cila akuzon kryeprokurorin Saveski se po punon nën urdhrat e kryeministrit, pasi më herët Hristijan Mickoski kishte deklaruar se është dëgjuar në telefon me kryeprokurorin Saveski, pasi ishte mbyllur hetimi për mazutin.

“A vjen pasiviteti i Saveskit pas bisedës telefonike me Mickoskin, ku ka marrë udhëzime të tilla?! Nëse prokurori i ri shtetëror me të vërtetë nuk vepron sipas direktivave politike dhe partiake, atëherë Saveski duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat ligjor që i qëndrojnë në dispozicion dhe të konstatojë si është mbyllur hetimi për rastin në të cilin shteti është dëmtuar për 169 milionë euro”, reagojnë nga partia E Majta.

Ditë më parë Ali Ahmeti ishte ankuar se VMRO-DPMNE po kryen trysni ndaj prokurorit në rastin ku i dyshuar është djali i deputetit Ismail Jahoski, Asmir. Pos tyre në këtë lëndë ishin të akuzuar edhe 12 persona të tjerë, mes tyre pronarët e kompanisë “RKE” Erxhan Sulkovski dhe Ratko Kapushevski, ish drejtori i Elektranave të Maqedonisë së Veriut, Vasko Kovaçevski i cili aktualisht ndodhet në arrati, por edhe ish drejtori Ardian Muça. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button