Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Kumanova u përfshi nga erëra të forta deri në 60 kilometra në orë, që çuan në rrëzimin e çatisë metalike nga një objekt banimi i cili është në ndërtim e sipër në zonën qendrore të qytetit
Sipas informacioneve nga Qendra për Menaxhim me Kriza, nuk ka qytetar të lënduar. Për arsye sigurie, qarkullimi i automjeteve është mbyllur përkohësisht deri në pastrimin e plotë të rrugës.
“Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, ndërsa është marrë masë për mbyllje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në rrugën ku ka ndodhur ngjarja. Të gjitha institucionet kompetente janë njoftuar me kohë nga Qendra Rajonale për menaxhim me kriza- Kumanovë, përfshirë kryetarin e komunës dhe shërbimet përgjegjëse në Komunën e Kumanovës. Ekipet tashmë janë në terren dhe po veprohet sipas kompetencave”, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Sinoptikët paralajmërojnë erëra të forta edhe ditëve në vijim, me intensitet më të theksuar në kryeqytet dhe në pjesën lindore të vendit.
“Erë të fortë kemi sot dhe nesër, të mërkurën do të ketë përsëri erë të fortë, erëra më të theksuara kemi veçanërisht në rajonin përgjatë lumit “Vardar” dhe në pjesët lindore të vendit. Edhe në luginën e Shkupit gjithashtu kemi erë të fortë të cilat në orët e pasdites deri në përfundim të ditës do të jenë më të fuqishme”, deklaroi Lençe Rizova, sinoptike.
Autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar gjatë erërave, veçanërisht në trafik, si dhe gjatë qëndrimit në hapësira të hapura. /Alsat.mk








