Erdogan “e gjen veten e tij” tek Biden dhe Putin, shkruan FT

Nga David Gardner, Financial Times

Në përpjekjen e tij për ta shndërruar Turqinë në një fuqi të domosdoshme në të gjithë Lindjen e Mesme, Afrikën veriore dhe Azinë Qendrore, dhe për t’u siguruar që sundimi i tij gati personal të jetë i pakundërshtueshëm, Recep Tayyip Erdogan po zbulon se ka më pak hapësirë ​​për manovrim sesa mund ta dëshironte.

Javët e fundit ai është përballur jo për herë të parë dhe në mënyrë të sikletshme me SHBA-në, aleatin e vjetër të Turqisë brenda NATO-s, dhe aleaten e saj episodike dhe pragmatike, Rusinë. Erdogan ishte motivuar pas një vargu suksesesh të dukshme në politikën e tij të jashtme agresive, duke sfiduar jo vetëm Uashingtonin dhe Moskën, por edhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, për të cilat Turqia është ende zyrtarisht një kandidate për t’u bërë pjesë e unionit.

Duke përdorur dronët, milicitë dhe mercenarët si dhe forcat turke, Ankaraja e ndryshoi rrjedhën e luftës civile në Libi (me Rusinë dhe Francën në anën tjetër); e ndihmoi shtetin turkofil të Azerbajxhanit që të rimarrë territorin e diskutueshëm nga Armenia (dhe pikërisht në Kaukaz, rajon të cilin Rusia e konsideron si pjesë e sferës së saj të ndikimit); dhe po krijon baza të forta në veri të Sirisë në disa enklava, prej nga ku po godet luftëtarët kurdët, që janë aleatë të SHBA-së.

Aty ku Ankaraja sheh se po konfirmon me të drejtë ndikimin turk, aleatët e saj në NATO shqetësohen për një fushatë neo-osmane për hegjemoni rajonale. Alarmi i tyre – dhe ai i rusëve – është rritur si rezultat i pretendimeve detare të Turqisë në Detin e Zi, Egje dhe Mesdheut Lindor, nën një doktrinë të gjerë të njohur si “Adheu blu” (“Mavi Vatan”).

Erdogan ka treguar se mund ta kombinojë me pragmatizëm aventurizmin e tij. Ai po rregullon raportet me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin, tre shtetet arabe që e bllokuan aleatin e tij në Gjirin Persik, Katarin, gjatë viteve 2017-2020-dhe të cilët ai beson se ishin pjesë e një komploti për ta rrëzuar atë nëpërmjet grushtit të dështuar në mesin e vitit 2016 në Turqi, së bashku me SHBA-në dhe disa vende evropiane.

Po ashtu ai bëri të duken tensionet në Mesdheun Lindor, skena e një grindje të fortë për pasuritë nëndetare të gazit, si një përplasje midis irredentistësh. Por kur Turqia dhe fqinji i saj shekullor dhe kundërshtar Greqia, duhej të rinisnin negociatat të mërkurën, marina e saj inskenoi kohët e fundit dy incidente detare me anijet eksploruese greko qipriote.

Në prag të bisedimeve me Athinën, Erdogan sulmoi“hartat e fabrikuara” të imperialistëve evropianë, të cilët e ndanë Lindjen e Afërt pas rënies së Perandorisë Osmane një shekull më parë. Por, ndërsa është e lehtë të sfidosh një BE të dobët dhe të përçarë, përballja mes SHBA-së dhe Rusisë u jep më pak hapësirë ​​për të manovruar, siç i është kujtuar Erdoganit kohët e fundit.

Për aq sa ish-presidenti amerikan Donald Trump, kishte një politikë të jashtme koherente, ajo shërbeu zakonisht si një mburojë për Erdogan, së bashku me rrahjet e shpatullave dhe admirimin e sjelljeve të tij autokratike. Me Joe Biden gjërat janë ndryshe.

Turqia dhe Amerika kanë prej kohësh disa mosmarrëveshje mes tyre. Ajo ka kryesisht lidhje me aleancën amerikane me forcat kurdo siriane, që kontrollojnë ende pjesën më të madhe të Sirisë Verilindore, dhe që janë të lidhura edhe me kryengritësit kurdë të PKK-së, dhe blerjen nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400, një veprim i parë nga strategët e aleancës si një “qyqe” në “folenë” e NATO-s.

Por tani Erdogan është i indinjuar që Joe Biden nuk gjeti kohë për ta takuar në Nju Jork gjatë punimeve Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së.“Unë nuk mund të them se gjërat me Biden kanë filluar mirë”-tha ai, duke kërkuar nga SHBA një rimbursim financiar për përjashtimin nga konsorciumi i ri i NATO-s për prodhimin e avionëve të rinj luftarakë F-35 dhe duke u zotuar jo vetëm të blejë më shumë sisteme ruse S-400, por edhe të thellojë lidhjet me Rusinë në fushën e mbrojtjes, nga aeroplanmbajtëset tek nëndetëset.

Deklaratat e Erdoganit mund të jenë bërë enkas për të zbutur marrëdhëniet e tij me Vladimir Putin. Megjithatë takimi me presidentin rus në resortin e Detit të Zi në Soçi ishte shumë i shkurtër, pas një pauze 18-mujore të atyre që kishin qenë kontakte të rregullta midis 2 udhëheqësve.

Takimi përfundoi pa konferencën e zakonshme për shtyp, në të cilën dy liderët autoritarë kanë shfaqur në të shkuarën admirimin e tyre të ndërsjellë. Por takimit gjithashtu i parapriu një përplasje tjetër. Erdogan deklaroi në OKB se Turqia nuk do ta njohë kurrë aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Po ashtu ai ka rënë dakord që ta furnizojë Ukrainën me dronët ushtarakë turq “Bayraktar TB2”, armë që ka rezultuar vendimtare në luftën civile në Libi si dhe në luftën midis Azerbajxhanit dhe Armenisë mbi territorin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakh. Ndërkohë Rusia ka kryer dhjetëra sulme ajrore në Sirinë Veriore, duke theksuar se prania e Turqisë në 4 zona atje ka nevojë për bekimin e Putinit, që ndërkohë është afruar shumë me Greqinë dhe Egjiptin.

Sulmet retorike të Erdoganit kundër amerikanëve, priten mirë nga mbështetësit e tij në Turqi, por nuk mund ta maskojnë dot vështirësinë e marrëdhënieve të tij me rusët. Dhe ato nuk mund të lënë mënjanë varësinë e Turqisë nga Evropa për tregti, investime dhe transferime teknologjike.

Monedha e vendit është përsëri në telashe,dhe popullariteti i presidentit turk po bie. Pas shkatërrimit të qeverisjes turke, është e vështirët ë dalësh kundër fuqive më të mëdha në vendet e këqija që rrethojnë Turqinë. Me një media të nënshtruar që varet nga humori i tij, dhe me një rreth të brendshëm njerëzish që nuk kundërshtojnë për asgjë, Erdogan tani ka të gjithë fuqinë që kërkonte, por asnjë mënyrë për ta testuar se si ta përdorë atë.

LEXO EDHE:

Back to top button