Erdogan: Izraeli duhet ndalur, shtohet presioni që lufta të përfundojë
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke folur në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Astana, bëri thirrje për rritje të presionit ndaj Izraelit për të arritur një armëpushim në Gaza.

“Rrënojat nën të cilat vuajtën më shumë se 16,000 fëmijë të pafajshëm janë, në fakt, rrënojat e një sistemi ndërkombëtar që ka humbur legjitimitetin e tij. “Izraeli duhet të ndalet dhe të detyrohet të pajtohet për një armëpushim të përhershëm dhe për këtë është e nevojshme të rritet dhe të intensifikohet presioni ndaj udhëheqjes izraelite”, tha lideri turk.
Ai theksoi se Turqia, e cila ka humbur dhjetëra mijëra qytetarë të saj për shkak të veprimeve të organizatave terroriste, është një vend që “e njeh mirë dhe njeh fytyrën e përgjakshme të terrorizmit”.
“Përvoja jonë e gjatë në luftën kundër terrorizmit tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar është i nevojshëm për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi. Ne po punojmë, pavarësisht nga të gjitha pengesat, për të krijuar një sistem ndërkombëtar efikas dhe gjithëpërfshirës që garanton paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin”, tha kreu turk.