Erik Ten Hag jep dritë jeshile për shitjen e sulmuesit

Man. Junajted dhe Entoni Martial do të ndajnë rrugët në fundin e këtij sezoni me francezin që dështoi të shndërrohej në një lojtar të rëndësishëm për trajnerin Erik ten Hag, kjo për faj edhe të problemeve të shumta fizike. Edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Bournemautit, sulmuesi nuk luajti më shumë se 57 minuta duke përfunduar i zëvendësuar nga ana e Vou Veghorst.

Zhgënjimi ishte i qartë në sytë e Martial teksa lojtari iu drejtua menjëherë dhomave të zhveshjes për t’u rikthyer vetëm pas disa çastesh në stol. Kështu, pas tetë vitesh pjesë e “Djajve të Kuq” kjo eksperiencë duket pranë fundit.

Pavarësisht kontratës që i përfundon në vitin 2024, drejtuesit janë të vendosur për ta larguar sidomos për të shmangur edhe pagën prej 240.000 paundësh në javë që përfiton aktualisht Martial dhe që rëndon bilancin e anglezëve.

Kujtojmë se synimi kryesor i drejtuesve të Junajtedit për sezonin e ardhshëm është afrimi i një sulmuesi që garanton gola, aq më tepër me “Djajtë e Kuq” që me gjasa do të rikthehen të luajnë në Ligën e Kampionëve pa lënë pas edhe objektivin për të qenë mes më të mirëve në Premuer Ligë.

LEXO EDHE:

Back to top button