Sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho e ftuar në “Programi 200” u shpreh se sa herë që ngjitet në skenë emocionet janë aq të fuqishme, saqë për te është njëjtë sikur të jetë hera e parë apo hera e fundit, shkruan Alsat.
“Sa herë që ngjitesh në skenë për mua është sikur është hera e parë dhe hera e fundit dhe duhet të jetë ashtu, sepse duhet të besosh në atë që e bën në skenë. Për shembull një artist në qoftë se nuk shkrihet me rolin, nuk beson…në qoftë se është një rol dramatik, duhet të qash ti brenda në shpirtin tënd, që të jesh i besueshëm dhe të qaj dhe publiku, o të qeshësh do të thotë jo gjithmonë me të qarë. Unë kam interpretuar dhe interpretoj këto rolet dramatike, ndoshta sepse jam e lidhur edhe me gjakun ballkanas mund të them, që mendoja, një herë e një kohë më përpara thoja pse jemi kaq me zjarr, çdo gjë e marrim me të uluritur, edhe të mirën edhe të keqen. Por ajo mënyra e të shprehurit mendoj që për një artist është shumë e rëndësishme, sepse jep diçka nga vendi yt, diçka që bota e ka, por edhe nuk e ka, secili vend ka diçka të veçantë dhe unë këtë lloj pasioni, këtë lloj energjie, çdo gjë e marr me zjarr. Të shohësh dy ballkanas që flasin qoftë për dashuri, qoftë kur zihen, nuk e kupton ku është diferenca”, tha Ermonela Jaho, soprano. /Alsat.mk








