Është hapur edicioni i 64-të i festivalit “Vera e Ohrit”
Është hapur edicioni i 64-të i festivalit "Vera e Ohrit"

Gazetar: Miki Trajkovski
Para Teatrit antik, me ndezjen e zjarrit të festivalit dhe me shfaqjen e violinistit me famë botërore nga Lituania, Julian Rachlin dhe orkestrës së Filarmonisë së Maqedonisë, është hapur festivali i 64 “Vera e Ohrit”, shkruan Alsat.
Në 40 ditët e ardhshme deri më 20 gusht, do të performojnë më shumë se 500 artistë nga 24 vende të botës. Festivalin e shpalli të hapur presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
“Më shumë se 60 vjet më parë, në kulmin e luftës së ftohtë, festivali “Vera e Ohrit” lindi në qytetin e shtrirë mbi liqen. Kështu, monumenti i natyrës u shndërrua në monument kulture dhe artistët nga perëndimi dhe lindja, veriu dhe jugu, nga Ohri dërguan mesazhin se bukuria do ta shpëtojë botën. Unë besoj thellësisht se diplomacia kulturore është shumë më e fuqishme se diplomacia tradicionale”, tha Gordana Siljanovska Davkova- presidente.
“Edhe në të ardhmen do të vazhdojmë ta mbështesim këtë festival, si konfirmim i padyshimtë i vendosmërisë sonë se ai vlerëson shumë arritjet artistike evropiane dhe botërore kurse qyteti i Ohrit dhe “Vera e Ohrit” kanë qenë dhe mbeten mjedis natyror për shpirtin kozmopolit të artit”, u shpreh Zoran Llutkov- ministër i Kulturës.
Në emër të artistëve mesazh dërgoi violinisti Vlladimir Kostov.
“Duke u përballur me kompleksitetin e botës moderne, le të mos harrojmë artin, të mbështesim dhe nderojmë artistët, të investojmë në edukimin e artit dhe të sigurohemi që arti të mbetet thellësisht i integruar në shoqërinë tonë”, theksoi Vlladimir Kostov- artist.
Artistët nga Shqipëria dhe Kosova do të mungojnë këtë vit. Pianisti Shkëlzen Baftiari do të performojë në kishën e “Shën Sofisë” më 9 gusht ndërsa Enis Alјi në violonçel më 30 korrik.
Programi përfshin 27 koncerte, gjashtë shfaqje teatrale dhe tre aktivitete në programin shtesë./ Alsat.mk