Është rritur për 35% numri i të prekurve nga gripi
Është rritur për 35% numri i të prekurve nga gripi
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Gjatë javës së dytë të janarit janë regjistruar 2.322 raste të gripit, që paraqet një rritje prej 34,6 për qind krahasuar me javën e parë. Që nga fillimi i këtij sezoni të gripit, numri i përgjithshëm i të prekurve ka arritur në 6.147 persona. Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se rritja e rasteve ka nisur më herët se sa ishte parashikuar, ndërsa piku i gripit pritet nga fundi i muajit janar deri në mesin e shkurtit. Po ashtu, është shënuar rritje e numrit të të shtruarve në spital, kryesisht fëmijë dhe persona të moshuar, të cilët konsiderohen grupet më të rrezikuara. Qytetet me numrin më të madh të rasteve të gripit janë Shkupi, Tetova, Kumanova dhe Ohri.
“Gjatë kësaj jave ende jemi në nivel të mesëm të aktivitetit virusal të gripit. Në lidhje me grup moshën, mosha më e prekur nga gripi është nga 15 deri në 64 vjeç, me 1.378 raste, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar tek më të vegjlit, respektivisht fëmijët nga 0 deri në moshën 4 vjeçare”, tha Dragan Koçinski, Drejtor i Departamentit të Epidemiologjisë në Instituti i Shëndetit.
Është regjistruar viktima e parë nga gripi. Bëhet fjalë për një person i cili, përveç infektimit me virusin Influenza A, ka pasur edhe sëmundje shoqëruese, çka ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.
“Gjatë javës së dytë është raportuar për një rast të vdekjes i lidhur me grip. Bëhet fjalë për një grua në moshë 75 vjeç nga Shkupi, e cila ka qenë e hospitalizuar në Klinikën Infektive. E njëjta ka pasur sëmundje shoqëruese dhe nuk ka qenë e vaksinuar kundër gripit”, tha Dragan Koçinski, Instituti i Shëndetit.
Masat mbrojtëse përfshijnë shmangien e vendeve të mbushura me njerëz, ajrosjen e rregullt të ambienteve, veshjen e rrobave të ngrohta në shtresa dhe konsumimin e vitaminave për forcimin e imunitetit.
Personat me probleme në frymëmarrje duhet të qëndrojnë në shtëpi. Fëmijët me simptoma nuk duhet të shkojnë në çerdhe apo shkollë, ndërsa të rriturit nuk duhet të paraqiten në punë për të shmangur përhapjen e infeksionit. Në rast të përkeqësimit të simptomave, duhet kontaktuar mjeku./ Alsat.mk








