Eskobar dhe Lajçak takuan Kurtin në Prishtinë

Eskobar dhe Lajçak takuan Kurtin në Prishtinë

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e ka quajtur jo të lehtë, por të sinqertë dhe hapur takimin e sotëm me kryeministrin, Albin Kurti. Megjithatë, ai ka thënë se ka pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron propozimi i BE-së për arritjen e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pas takimit mbi dy orësh të pesë emisarëve ndërkombëtar me kryeministrin Kurti, vetëm Lajçak u prononcua shkurtazi para mediave. Ai tha se BE-ja dhe ShBA-të janë të angazhuara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  I dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun, shtoi se ka pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron propozimi i BE-së për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Gjatë takimit me Kurtin, përveç Lajçak, ishte edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, presidentit të Francës dhe këshilltari diplomatik i kryeministres së Italisë.

Pas takimit me Kurtin, emisarët ndërkombëtar udhëtojnë për në Beograd, ku pritet të takohen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike sepse siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë tani për në Beograd, pra, nuk mund të them shumë. Ajo që megjithatë dua të them në këtë pikë është se ne kemi pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim, shpresoj se do të arrijmë aty, në kuptimin e plotë dhe përdorimin e plotë të potencialit të këtij propozimi, ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, deklaroi Miroslav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i BE-së. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button