Euroambasadori Rokas pasi skadoi afati i grejs periudhës: Le të presim raportin e KE-së
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Ndonëse më 30 qershor skadoi afati për realizimin e reformave që vendi ka pasur për detyrë t’i përmbushë në kuadër të Agjendës së reformave, nuk është përpiluar akoma raporti i plotë që duhet t’i dorëzohet Komisionit Evropian. Institucionet thonë se deri në mesin e muajit korrik, KE-ja do të njoftohet për përmbushjet. Megjithatë sa reforma konkretisht mund të llogariten të përmbushura, Ambasadori Mihalis Rokas thotë se duhet të pritet vlerësimi i BE-së që do të jepet pas pushimeve verore. Ai shpreson që vendit do t’i pranohen të paktën 9 nga reformat që kanë pasur periudhë grejs qershorin.
“Ajo që ka rëndësi është se ka pasur përparim në të gjitha fushat, përfshirë dhe 51 hapat. Prandaj jam i bindur se ka pasur një përshpejtim të reformave por sigurisht do të duhet të presim raportin final. Njëkohësisht patëm dhe procesin e rregullt i cili përfundoi më 30 qershor dhe në këtë drejtim kemi progres shumë të mirë pasi e dimë se çfarëdo që skadon pas grejs periudhës, do të thotë se paratë definitivisht janë të humbura. Po punojmë për të arritur nëntë ose nëntë e gjysmë nga dhjetë por prap vlerësimin e bën Komisioni Evropian”, deklaroi Mihalis Rokas, euroambasador.
Vlerësim pozitiv nga Komisioin Evropian pret edhe kryeministri Hristijan Mickoski. E përpos vlerësimit, shpreson që do të përfshihet në grupin e vendeve me prioritet për ri-alokim të fondeve bashkë me vendet kandidate me përparim më të lartë.
“Ne tani kemi diku mbi 140 milion, me këto 100 milion do të arrijmë diku 240 nëse i fitojmë. Dua të sqaroj se 1/3 shkon për likuiditetin në buxhet ndërsa 2/3 e tjera janë grant apo kredi që duhet të paguhen nga viti 2032 për projekte për investime kapitale. E nëse futemi në “Top up” listën do ta shohim shumën që do ta fitojmë dhe ne këtu flasim për prioritete. Prioritet do të kemi projekte që kanë mbetur të pa realizuara nga IPA-projektet e mëparshme”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Të gjitha pikat e Agjendës së reformave duhet të përmbushen deri në vitin 2027./Alsat.mk.








