Nuk dihet fati i Kodit Zgjedhor, pushteti dhe opozita me qëndrime diametralisht të kundërta
Gazetare: Ajnur Bafqari
Nuk dihet si do të jetë fati i Kodit Zgjedhor. Opozita maqedonase është kategorikisht kundër, ndërsa për pushtetin ndryshimet përbëjnë zgjidhje të mirë dhe të harmonizuar tërësisht me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it. “E Majta” kundërshton mënyrën e reklamimit të paguar politik, duke nënvizuar se VMRO-DPMNE merr pjesën më të madhe të kulaçit dhe reklamave të paguara politike me përqindje dyshifrore.
“E Majta në grupin e punës kërkoi fillimisht ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore dhe si zgjidhje më të arsyeshme kërkoi heqjen e plotë të parave për reklamat e paguara politike. Por kur partitë, të mësuara të funksionojnë vetëm me mitmarrje dhe para, nuk ranë dakord, ne kërkuam shpërndarjen e fondeve në mënyrë të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje. As kjo nuk ishte e pranueshme për ta”- thonë nga E Majta.
LSDM nuk pajtohet me disa pika, por kritika më të ashpra ka në pjesën e votimit të diasporës në mënyrë elektronike. Venko Filipçe thekson se procesi i votimit duhet të jetë i barabartë për të gjithë votuesit brenda dhe jashtë vendit.
“Përse të ketë votim ndryshe për diasporën dhe për njerëzit që jetojnë në diasporë, nga njerëzit që jetojnë këtu. Përse këtu ne votuesit vendosim shenja të gishtërinjve dhe kështu me radhë, e dikush të votojë në mënyrë elektronike, ose të votojë me letër. Përse të mos sigurohet në mënyrë të barabartë procesi i votimit për ata që janë në vend dhe ata jashtë. Përse Mickoski u lë barrë të tillë qytetarëve tanë që jetojnë në diasporë që dikush nesër të ju thotë se ishin pjesë e mashtrimit zgjedhorë”- deklaroi kreu i LSDM-së, Venko Filipçe.
Për kryeministrin Mickoski, opozita po sillet në mënyrë të papërgjegjshme. Ai thotë se megjithatë është i gatshëm edhe njëherë të ulet në tryezë, që të gjendet një zgjidhje e pranueshme, sidomos në pjesën e kyçjes sa më të madhe të diasporës në procesin zgjedhor.
“Kodi Zgjedhorë është tërësisht i harmonizuar me rekomandimet e OSBE-ODIHR . Kemi sjellje të papërgjegjshme nga ana e opozitës, por ne jemi të gatshëm, këtë e thash edhe dje, të ulemi të flasim përsëri në pjesën e votimit të diasporës, ta përmirësojmë këtë proces, si ta kyçim më shumë diasporën. Ja ata vendosën që edhe përskaj faktit që dhjetëra vende në botë aplikojnë votimin elektronik… Ja le të mos jetë kështu, nga viti 2029 nga zgjedhjet presidenciale e më tej, ata kanë frikë sepse thonë edhe atëherë do të jenë opozitë dhe mendojnë se dikush do t’ua vjedh zgjedhjet”- tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor është pjesë e Axhendës së Reformave, por procesi po përballet me kundërshtime në Kuvend. Opozita si formë bllokimi ka dorëzuar mbi 13 500 amendamente./Alsat.mk.








