Eurostat: Shqipëria e para në botë për aplikimet për azil në raport me popullsinë

Eurostat: Shqipëria e para në botë për aplikimet për azil në raport me popullsinë

Përmasat e emigracionit të shqiptarëve janë aq të larta sa e kanë detyruar Shqipërinë të shënojë rekord botëror për këtë fenomen.

Sipas shifrave të fundit që vijnë nga Eurostat, Shqipëria renditet e para në botë për aplikimet për azil në raport me popullsinë për 7 mujorin e parë të vitit, në Bashkimin Europian dhe për 6 mujorin e parë 2022 në Mbretërinë e Bashkuar.

Në Shqipëri, për çdo 1000 banorë kanë aplikuar për azil gati 5 banorë, duke lënë pas Gjeorgjinë me 3.9 aplikime për 1000 banorë, dhe Sirinë që ka 3.1 aplikime për një mijë banorë, nga të cilët 2.9 janë në shtetet e Bashkimit Europian.

Pas Shqipërisë, renditen shtete si Eritrea, Afganistani, Venezuela, Moldavia, Armenia, Tunizia dhe më pas janë Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Për të dy shtetet e para, Gjeorgjinë dhe Sirinë, arsyet kryesore të aplikimit për azil lidhen me luftën. Ndërsa Shqipëri, aplikimet për azil janë rritur ndjeshëm që pas pandemisë.

Vetëm për aplikimet në Bashkimin Europian, Shqipëria renditet e treta në raport me popullsinë, pas Gjeorgjisë dhe Sirisë. Por, në 2022-n, ka një rritje shumë të lartë të aplikimeve në Mbretërinë e Bashkuar, që e vendos Shqipërinë në krye të listës globale për kërkesat e larta për azil.

Sipas të dhënave zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar, rezulton se vetëm për 6 mujorin e parë të vitit kërkuan azil nga Shqipëria 7.267 persona, më shumë sesa në gjithë vendet e Bashkimit Europian, duke u renditur të dytët në numër pas Iranit.

Ndërsa në raport me popullsinë Shqipëria ka 2.6 aplikime për një mijë banorë, kundrejt Iranit, me 0.1 aplikim për një mijë banorë.

Numri i personave që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar është më i lartë, por jo të gjithë kërkojnë azil. Mediat britanike raportojnë që 12,000 shtetas nga Shqipëria kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit përmes detit, ose 30% të totalit të hyrjeve me anije në vend.

Duke përfshirë dhe hyrjet në Mbretërinë e Bashkuar, në total janë 14 mijë aplikime nga shqiptarët në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e parë të vitit.

Sipas një raporti të fundit, Banka Botërore analizoi se papunësia, korrupsioni dhe emigracioni mbeten shqetësimet kryesore në rajon.

LEXO EDHE:

Back to top button