Fakulteti i Mjekësisë në UT drejtohet nga një docent, dekani duhet të jetë profesor ordinar-inordinar

Fakulteti i Mjekësisë në UT drejtohet nga një docent, dekani duhet të jetë profesor ordinar-inordinar

Gazetar: Ardit Ramadani

Shkelje ligji apo jo lidhur me emërimin e dekanit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës. Në krye te këtij fakulteti qëndron Vegim Zhaku, në pozitën e ushtruesit të detyrës. ALSAT dërgoi pyetje në Universitetin e Tetovës, për mënyrën e zgjedhjes së Zhakut, në këtë detyrë, si dhe përbërjen e Këshillit Mësimor Shkencor që e miratoi vendimin, përfshi edhe Senatin që dha pëlqimin përfundimtar për këtë zgjedhje.

Por deri tani nuk ka një përgjigje nga zyrat për informim pranë Universitetit. Sipas informacionit paraprak, na thanë se përgjigje do të marrim në harkun kohor siç parashikon ligji për informacione të karakterit publik. Jozyrtarisht mësuam vetëm se zgjedhja është bërë rreth muajit prill dhe Vegim Zhaku ka përfunduar vetëm para 1 viti disertacionin, dhe ka vetëm titullin docent.

ALSAT, në pyetjet e tij, kërkon sqarime se përse janë tejkaluar kriteret e tjera të përcaktuara me ligj, konkretisht faktit që nuk kanë munguar profesorët ordinarë dhe inordinarë.

Ligji i Arsimit të Lartë, neni 115
“Dekani zgjidhet nga radhët e profesorëve ordinarë dhe inordinarë në fakultet, kurse nëse nuk ka profesorë ordinarë dhe inordinarë edhe nga radhët e docentëve për kohë prej tre vitesh, me të drejtë edhe për një zgjedhje, me kushte të përcaktuara me statutin e universitetit.”

Nga ana tjetër, ALSAT dërgoi pyetje edhe pranë Inspektoratit Shtetëror të Arsimit lidhur me hetimin e mundshëm të procedurës, dhe përse është anashkaluar ligji që sanksionon se prioritet kanë së pari profesorët ordinarë, inordinarë, dhe më të fundit, ata që janë docent, por gjithnjë me kushtëzimin 3 vjeçar në rast se nuk ka të tjerë me titujt e mësipërm.

Nga inspektimi ynë me sy të lirë në faqen e Fakultetit të Mjekësisë vërehen një sërë profesorësh me titujt e sipërpërmendur, si Atilla Rexhepi, Kastriot Haxhirexha, Lutfi Zylbeari, Qenan Ferati, Nevzat Elezi dhe të tjerë. Pyetja për Universitetin dhe Inspektoratin mbetet ende pa përgjigje.
Një ditë më parë ALSAT njoftoi për shkeljet e tjera në këtë fakultet, veçanërisht mbi lidhjet familjare të profesorëve, jo vetëm ato të gjakut por edhe të bashkëshortësive e afërsive politike të tyre. Sipas hulumtimit, rezultoi që pjesa më e madhe e stafit akademik janë mes vete babë e bijë, burrë e grua dhe ngjashëm. Nuk dihet në qoftë se Inspektorati i Arsimit do të veprojë sipas detyrës zyrtare pas këtyre informacioneve të publikuara nga ALSAT, pasi të njëjtët, refuzojnë të përgjigjen në pyetjet tona. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button